Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, e ka mbyllur prej ditësh aventurën shqiptare, por sot është zhvilluar nga Federata Shqiptare edhe një ceremoni në nderim të tij.
Vetë De Biazi ka mbajtur një fjalim të shkurtër, ku ka kujtuar vitet e kaluar në Shqipëri, si dhe ka dhënë një mesazh për shqiptarët.
“Koha kalon shumë shpejt dhe ne e perceptojmë në mënyra të ndryshme, sipas kapaciteteve tona, për ta jetuar të tashmen që kemi dhe pikërisht për këtë motiv koha për mua fluturoi. Kam jetuar dhe përjetuar këto 5 vite e gjysmë në Shqipëri në mënyrë shumë intensive, i shoqëruar nga dashuria dhe shtysa e shumë tifozëve tanë të cilët gjithmonë na kanë mbështetur dhe kanë gëzuar me ne rezultatet e arritura por edhe impenjimet tona si skuadër në fushë. E kujtoj sërish tani si të ishte dje ditën time të parë në Tiranë. Një natë me shi pas mbërritjes nga Milano, akomodimi në hotel dhe një dite më pas firma në kontratë dhe prezantimi përpara mediave. Sikundër shpesh më ndodh kur kam ndryshuar skuadër, ndjeja brenda vetes ankthin, kuriozitetin dhe dëshirën e madhe të vënies menjëherë në provë të një sfide e gjitha për t’u deshifruar.
“Kanë kaluar 2038 ditë që nga ai moment të cilat i kam jetuar me shumë pasion, në të cilat kam qenë protagonist në 52 ndeshje në drejtimin e ekipit kombëtar. Një numër i mjaftueshëm në të cilin shumë lojtarë janë alternuar gjatë këtyre viteve për të mbrojtur ngjyrat e flamurin tonë dhe në të cilat na është dashur të bëjmë një punë të madhe për rinovimin e skuadrës, si në aspektin e konturimit taktik, por edhe në atë të mentalitetit. Në dy vitet e para të eliminatoreve të Botërorit kërkuam vazhdimisht përmirësimin e cilësisë duke u munduar njëkohësisht të ruanim kontrollin e pikëve. Sot e them me plot gojë që lëvizja deçizive për atë që arritëm ishte ajo e presidentit Duka, i cili pati vullnetin t’i japë vazhdimësi projektit të Shqipërisë duke më rikonfirmuar në krye të kombëtares shqiptare për dy-vjeçarin e radhës.
“Pjesën tjetër e dini të gjithë, një kualifikim historik në Europian, një vend i tretë në kualifikueset aktuale pas Spanjës dhe Italisë. Kjo skuadër ka përpara një të ardhme shumë interesante nëse do arrijë të luajë me entuziazmin dhe kujdesin e veçantë, veti që e kanë karakterizuar në të kaluarën e afërt. Besoj që diferenca do të jetë kapaciteti për t’u përballur me sfida të reja, me motivime të rinovuara pa u vetëkënaqur me rezultatet e arritura. Ju lutem kujtoni gjithmonë fjalët e Heroit Kombëtar, Skënderbeut: ‘Nëse qëndroni të bashkuar, askush nuk do t’ju mundë!’
|Jam këtu sot për t’ju përshëndetur dhe për t’ju thënë faleminderit të gjithëve. Faleminderit atyre që ndanë me mua gëzimin, por mbi të gjitha që më kanë qëndruar afër në momente të vështira. Faleminderit atyre që më kanë ndihmuar të përjetoj këtë eksperiencë profesionale, por edhe shumë humane dhe të paharrueshme. Asgjë nuk përfundon, gjithçka transformohet dhe evoluon. Kushedi se çfarë na jep koha, ndoshta në të ardhmen rrugët e mia me ato të ekipit tonë kombëtar dhe kësaj toke të mrekullueshme mund të kryqëzohen sërish”.