Kjo është të paktën e katërta herë që Shpëtim Duro është në qendër të një projekti sportiv. Sigurisht që dorë ka pasur dhe te Skënderbeu e Shkëndija, por të paktën 4 ekipe i ka ndërtuar 100% sipas ideve të tij. Besën në 2009, Vllazninë në 2012, Partizanin 2014 dhe Flamurtarin e ditëve të sotme. Përjashto Vllazninë, ku u largua në muajin janar pa lënë ndonjë shenjë kushedi, në rastet e tjera ka qenë i suksesshëm. Kupë, Superkupë dhe kupat e Europës me Besën, vend i tretë dhe rikthim pas 7 vitesh me Partizanin në Europë. Tani me Flamurtarin është në vend të tretë, 16 pikë në 9 ndeshje, dhe vetëm 1 humbje. Në përgjithësi skuadrat e tij përveçse janë të formuara me kujdes dhe të kuruara deri në detaje në seleksionim, janë shumë të vështira për t’u mundur. Edhe me Besën, por dhe me Partizanin, në fazën e parë ai pësoi vetëm një humbje.
Flamurtari i këtij sezoni është realisht një skuadër shumë e fortë dhe këtë e tregoi dhe në sfidën kundër Kukësit. Pavarësisht se në pjesën e parë pësoi gol, skuadra tregoi karakter e madje dhe mund ta kishte fituar pjesën e dytë. Skuadër e fuqishme, qetësi, ekuilibër mes reparteve dhe guxim kur duhet sulmuar me shumë forca.
Më këtë ritëm paraqitjesh dhe rezultatesh Flamurtari ka vënë zyrtarisht kandidaturën për të luajtur në kupat e Europës në vitin 2018. Hera e fundit që vlonjatët kanë luajtur në këtë aktivitet është viti 2014, ku kaluan turin. Duro sigurisht që ka marrë përsipër gjithë përgjegjësinë e këtij sezoni dhe normalisht nëse skuadra shkon në Europa Ligë do ishte një sukses i madh.