Vllaznia u mund në ndeshjen e parë nga Sarajevo me rezultatin 5-0, ndërkohë që ka ardhur triumfi në takimin e dytë që vajzat shkodrane zhvilluan kundër estonezëve të Parnu. Ekipi kuqeblu, edhe pse u gjend në disavantazh 0-1, arriti të përmbyste gjithçka.
Shcherbachenia realizoi që në minutën e 12-të për Parnu. Gjithsesi Vllaznia reagoi shpejt dhe gjashtë minuta më pas ishte Franja, që mban shiritin e kapitenes, ajo që shënoi dhe vendosi baraspeshën. Me rezultatin 1-1 skuadrat shkuan drejt dhomave të zhveshjes.
Tre minuta nga fraksioni i dytë i lojës ishte Gjini që i dha avantazhin Vllaznisë, kurse Doçi dhjeta minuta para mbylljes së takimit realizoi edhe golin e tretë që “vulosi” fitoren 3-1 të vajzave shkodrane. Të hënën Vllaznia përballet me moldavet e Agarista-SS Anenii Noi. Në rast suksesi, shanset për të kaluar në turin e ardhshëm janë të mëdha.