Mbrëmje spektakolare në Londër, Palas kryesonte 2-0 sapo nisi pjesa e dytë, por më pas 35 minuta të pabesueshme sollën përmbysjen e djemve të Murinjos
Një gol fantastik nga Nemanja Matiç në shtesë kompletoi një përmbysje spektakolare të Mançester Junajtid, që fioti 3-2 ndaj Kristal Palasit mbrëmë në Selhurst Park, në një ndeshje me emocione pa fund. Golat nga Andros Taunsend dhe Patrik van Anholt, në minutat 11 e 48, krijuan përshtypjen se Palas do të merrte fitoren, por Junajtid tregoi një forcë të pabesueshme mendore, duke evituar humbjen dhe duke marrë pikët e plota falë Matiç, që shënoi golin që vlen rikthimin në vendin e dytë në Premier Ligë, mbi Liverpulin.
START TRONDITËS – Fillimi ishte shumë i keq për skuadrën e Zhoze Murinjos, sepse që në minutën e 11-të Taunsen shënoi me një gjuajtje nga kufiri i zonës, që u devijua. Nuk pati ndonjë reagim të fortë nga Djajtë e Kuq në pjesën e parë dhe mbrojtja kishte probleme, ndaj në pjesën e dytë, në minutën e 48-të, Van Anholt përfitoi, duke shënuar edhe golin e dytë, me Junajtid që po shihte të afrohet humbja e tretë rresht jashtë fushe, gjë që nuk ndodhte që prej janarit 1996.
REAGIM SUPER – Një gol i shkëlqyer me kokë nga Kris Smolling reduktoi avantazhin e Palasit dhe ishte vetëm minuta e 55-të, ndaj ishte e qartë që aty e tutje do të ishte një betejë e egër. 14 minuta para fundit Romelu Lukaku u tregua gjakftohtë, duke barazuar, por kur dukej se përfundoi dhe Palas do të merrte një pikë të artë në garën për mbijetesë në Premier Ligë, Matiç bëri heroin për Junajtid, me mesfushorin që lëshoi një predhë nga distanca, duke siguruar një fitore të pashpresuar. Vendi i dytë dhe të shtunën luhet pikërisht Junajtid-Liverpul, ndërsa Palas mbetet në zonën e ftohtë dhe do ta vajtojë gjatë mbrëmjen e djeshme. Nuk kishte ndodhur kurrë në Premier Ligë që Palas të mundej pas avantazhit me të paktën 2 gola, ndërsa tersi vazhdon, sepse ishte ndeshja e 18-të rresht që Palas nuk fiton ndaj Junajtid.