Përfundon dënimi i Trashit, Partizani provon një… 33-vjeçar!

Partizani nuk habit më, çfarëdo që të ndodhë. Lorenc Trashi dje luajti me Partizanin B dhe nisi dënimin e vendosur nga klubi, pas sherrit me trajnerin Sulejman Starova, por duket se dënimi ka zgjatur pak. Sot Trashi ka dalë në stërvitje me ekipin e parë, edhe pse nuk zbulohet asgjë nga klubi, nëse është fshirë dënimi, apo Trashi do të mbetet i dënuar, duke vazhduar të luajë vetëm për ekipin B.

MESFUSHORI SERB – Pas afrimit apo testimit të shumë lojtarëve të rinj, Partizani provon edhe një futbollist 33-vjeçar, aq sa duket sikur është kthyer La Kamera. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare mbrojtëse Milan Çulum, serb, i cili në pjesën e parë të sezonit ishte titullar, me 13 ndeshje të luajtura, te Slloboda Tuzla në Bosnje-Hercegovinë. Skuadra e vendeve të fundit në renditje në kampionatin boshnjak ka prishur kontratën me mesfushorin para dy ditësh, edhe pse kishte kontratë 1+1 me të.

Më parë Çulum ka luajtur edhe me Zeljezniçarin në Bosnje, ndërsa në Serbi ka luajtur me OFK Beograd, Çukariçkin, Smederevob, Hajduk Kulën, Radniçki Nish, Radniçki Kragujevac Radnik Surdulica e Rad Beograd.

Futbollist 2 metra i gjatë, Çuluk ka eksperiencë të jashtëzakonshme dhe ka luajtur rregullisht në çdo ekip, ndaj Partizani ka vendosur të shkelë për një moment rregullin e ri, duke testuar edhe një lojtar me një moshë disi të papërshtatshme për strategjinë afatgjatë të klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *