Mbrëmjen e sotme janë zhvilluar ndeshjet e kthimit të fazës “play off“ të Ligës së Konferencës. Tetë ekipe kanë siguruar kualifikimin për më tej, ku bashkë me 8 fituesit e grupeve do të vazhdojnë rrugën drejt “Air Albania“-s në Tiranë. Leiçesteri, Marseja, PAOK-u, Partizani i Beogradit, Slavia e Pragës, Bodo/Glimt-i, Viteshe dhe PSV Eindhoveni kanë kaluar kundërshtarët e tyre për të shkuar në fazën e 1/8-ve të kompeticionit më të ri të UEFA-s. Skuadra të njohura në arenën europiane, si Selltiku apo Fenerbahçe i kanë dhënë fund Ligës së konferencës mbrëmjen e sotme.
Ndërkohë nesër në orën 13:00 do të mbahet shorti për fazën e 1/8-ve në Nion të Zvicrës. Skuadrat e kualifikuara mbrëmjen e sotme do të bashkohen me fituesit e grupeve të Ligës së Konferencës dhe nëpërmjet goglave do të mësojnë kundërshtrët që do të kenë përballë. Në vazon e fituesve të grupeve gjenden Roma, AZ Alkmari, Bazeli, Kopenhageni, Fejnordi, Genti, Lasku i Lincit dhe Rene. Ndërkaq, në vazon e tjetër do të gjenden Leiçesteri, Marseja, PAOK-u, Partizani i Beogradit, Slavia e Pragës, Bodo/Glimt-i, Viteshe dhe PSV Eindhoveni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/