Për lavdi dhe 200 mijë euro, Skënderbeu ngre Korçën në këmbë

Korçarët shpresojnë të mos e prishin “rregullin” e shënimit të golit në çdo ndeshje. Edhe humbja minimale me gol jashtë fushe bën që në Elbasan të synohet ëndrra   

Leonard Trebicka 

Skënderbeu, i vetmi flamur i kampionatit shqiptar në Europë, ku po përfaqësohet shumë denjësisht, luan sot aktin e parë me Dinamon e Zagrebit. Luhet “play-off”-i për Europa League dhe “misioni” është gati i pamundur, por korçarët besojnë se mund të bëjnë sërish histori. Suksesi i mundshëm ndaj gjigantëve kroatë do të thotë grupet e Europa League, një ëndërr e përjetuar dy vjet më parë, por në një rrugë më të shkurtër. Në Korçë duan ta jetojnë sërish, pse jo dhe në mbarë Shqipërinë. Do të jetë në të mirë për futbollin shqiptar, për lavdinë e tij dhe jo vetëm të Skënderbeut. Luhet në Zagreb dhe kroatët janë të favorizuar, por të favorizuar ishin edhe kazakët e çekët, që sot janë në shtëpi. Skënderbeu vazhdon të luajë në Europë dhe sot edhe “armiqtë” më të mëdhenj të tij në Superiore janë me të. Sigurisht, do ta respektojnë ekipin korçar për atë që po jep. Të gjithë sot në Shqipëri kanë një urim-lutje: Na ndero Skënderbe!

KORÇA – Në Korçë mezi e presin mbrëmjen e sotme. Kur është mësuar lajmi se “Supersport” do ta transmetojë ndeshjen, të gjithë janë gëzuar dhe kanë prenotuar lokalet. Nëse Skënderbeu merr sot rezultat pozitiv, por edhe një humbje minimale me gol në fushë kundërshtare, nuk ka dyshim që “Elbasan Arena” do të prenotohet për të qenë plot një javë më vonë. I madh dhe i vogël sot në juglindje do të ulet para ekranit të televizorit dhe të gjitha lokalet e qytetit juglindor në orën 19:00 do të jenë të mbushura me tifozë. Atmosfera në Korçë është e zjarrtë dhe sot të gjithë luten për një sukses tjetër të Skënderbeut: Na nderoni djema!

PREMIO – E ndërkohë që të gjithë presin të shohin një Skënderbe të denjë në fushë, ky ekip luan edhe për 200 mijë euro shpërblim. Luhet për lavdinë në radhë të parë, por edhe për financat. Futbollistët që do të jenë sot në fushë e dinë fort mirë peshën e fanellës bardhekuqe dhe do të përpiqen me të gjitha mundësitë ta nderojnë atë. Shpërblimi i akorduar nga presidenti Takaj e ka një logjikë, pasi kualifikimi për fazën në grupe sjelle fitime kolosale për klubin korçar.  

GJENDJA – Skënderbeu, fatmirësisht nuk ka probleme para ndeshjes së sotme në Zagreb. Vetëm Xhejms nuk ka gjendjen optimale, por do të jetë në stol, ndërsa titullar do të jetë Soue. Nga ana tjetër, korçarët i ndihmon fakti që kundërshtari nuk do të ketë të gatshim lojtarë titullarë si sulmuesi Sudani dhe mesfushori Olmo.

    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *