Për herë të parë një finale europiane në Shqipëri, Shulku: Një event i rrallë, UEFA-n e bindëm me projekt

Shqipëria do të presë për herë të parë në historinë e saj një finale të kompeticioneve europiane. Finalja e parë e Ligës së Konferencës do të luhet në stadiumin “Air Albania“, duke sjellë kështu një sukses të madh për vendin tonë. Në emisionin “Skaner” në “MCN TV”, Ilir Shulku është shprehur se ky do të jetë një event i rrallë, për të cilin kanë paraqitur një projekt serioz në tryezën e UEFA-s, çka e ka bindur këtë të fundit të japë dritën jeshile për FSHF-në në mënyrë që të organizojë finalen e kompeticionit më të ri europian.

“Nëse ligji i sponsorizmit aprovohet, do të jetë një mbështetje e madhe për sportin në Shqipëri. Nëse aprovohet, e them me bindje që për pak vite do të shikojmë zhvillim tjetër.

Qyteti i Lushnjës do të ketë një tjetër zhvillim tani. Do të bëhen 3 fusha të reja me tapet, gjithashtu edhe stadiumi. Tani Lushnja ka 1, ndërsa për pak kohë do të ketë 4 të tilla. Në “Selman Stërmasi” ka filluar rikonstruksioni i tapetit. Në stadiumin e Lezhës do të ndërhyhet në komplet tribunën qendrore dhe dhomat e zhveshjes. Edhe aneksi i Besëlidhjes është në gjendje jo të mirë. Këto janë të gjitha me investimin e Federatës.

Finalja e Conference League, është një event i rrallë, të cilin e përfituam. Nuk u përfitua me zgjedhje me short, por u përfitua me projekt. Ne aplikuam edhe një vit më parë për ta marrë, por UEFA u bind vitin e dytë me projektin e paraqitur nga ne. Një kompeticion i tillë në Tiranë, do të ketë zhvillim vendi dhe futbolli”, është shprehur Shulku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *