“Për herë të parë luajmë në një orar të përshtatshëm”, Shehi i përgjigjet ironisë së Martinit: Nuk jam doktor

Tirana do të luajë nesër një sfidë delikate kundër kampionëve në fuqi. Teuta pret bardheblutë në “Elbasan Arena” në një përballje që pritet të dhurojë emocione. Orges Shehi ka dalë sot në konferencë për mediat, ku i kthen përgjigje edhe ironisë së Martinit. Trajneri i Teutës do të ironizonte faktin se lojtarët e Tiranës u shëruan shpejt nga Covid-19, ndryshe nga futbollistët e tij.

“Grupi është plotësuar, situata është deri diku normale pas asaj anormale që kaluam. Kemi pak më shumë se 24 orë dhe besoj se jemi gati.  Deklarata e trajnerit Martini? Se çfarë thotë trajneri kundërshtar është punë e tij. Unë jam trajner nuk jam doktor. Sigurisht disa gjëra i di duke u konsultuar me doktorët. Kur ke simptoma bën një test e nëse del pozitiv do të karantinohesh. Kur kalojnë disa ditë, edhe në bazë të shëndetit të lojtarëve bën një test tjetër. Pritëm që të gjithë të dilnin negativë. Pas kryerjes së kontrolleve të nevojshme stafi mjekësor jep dritën jeshile nëse duhet të fillojnë stërvitjen apo jo.

A do të jenë të gatshëm Ngoo, Seferi dhe Ismajlgeci për të luajtur nesër qoftë edhe duke e nisur nga stoli? Ata kanë dy ditë që stërviten me skuadrën, gjendja dihet që nuk është optimale për atë çka kanë kaluar. Kemi akoma edhe 24 orë kohë për të parë nëse do të jenë të gatshëm apo jo.  COVID-19 nuk të lë të zgjedhësh kur të kap apo kur nuk të kap.

Është një kampionat shumë rivalizues, këtë e shohim dhe nga renditjet dhe rezultatet, kemi përballë skuadra të organizuara dhe të investuara. Të gjitha janë skuadra të forta. Teuta meriton respekt, janë kampionët në fuqi. Ne futemi në fushë të marim atë që kërkojmë, fitoren.

Terreni i “Elbasan Arenas”? Është gjë e mirë, luajmë dhe në një orar të përshtatshëm për herë të parë këtë kampionat. Sigurisht që terreni të ndihmon të shprehesh akoma më mirë, është plus të jenë të gjitha terrenet si në ‘Elbasan Arena’”, ka deklaruar Orges Shehi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *