Pepa i jep zemër Lushnjës: Me këtë frymë, ia dalim!

Sulmuesi lushnjar beson se skuadra do të jetë gati në startin e kampionatit për të përballuar me sukses çdo kundërshtar të elitës  

Arjan Likja

Lushnja ka bërë edhe një tjetër afrim me vlera në merkato, duke marrë mbrojtësin e qendrës, Elvis Prençi, ndaj dhe grupi është më i kompletuar. Lajmi i keq për trajnerin Bano ishte dëmtim i i Korreshit, që duket se ka humbur fazën e parë, ndërkohë që në Pogradec vazhdojnë përgatitjet me ngarkesa të larta fizike. Gjatë paradites skuadra punon me përgatitësin atletik Llazar Gjika, ndërsa pasdite stërvitja është më e gjatë dhe stafi teknik punon më shumë në planin tekniko-taktik. Për stafin mjekësor të skuadrës, i rëndësishëm është fakti që lojtarët e Lushnjës e kanë përballuar me sukses ngarkesën.

PEPA – Për lushnjarin Brunild Pepa, i cili do të udhëheqë sulmin e skuadrës myzeqare sezonin e ri, gjithçka po shkon mirë në këtë moment: “Kemi lënë pas ditën e tretë të përgatitjeve në Pogradec, ku po punojmë në kushte mjaft komode, të përshtatshme për stërvitje. Jemi të qetë dhe të vlerësuar dhe katë janë tregues të rëndësishëm në aspektin psikologjik për ne futbollisët. Kemi mbërritur në Pogradec të enjten dhe menjëherë kemi nisur punën në fushë. Dy ditë, të premten dhe të shtunën, stafi teknik ka aplikuar 3 seanca në ditë, ndërsa sot (dje) 2 seanca. Natyrisht, është ngarkesë e madhe, por po e përballojmë pa asnjë lloj kontraktimi këtë menu të ngjeshur stërvitore. Kjo tregon se stafi teknik ka bërë një program të mirë”, – thotë sulmuesi lushnjar sa i takon stërvitjes.

FRYMA – Në këtë fazë Lushnja do të luajë edhe disa ndeshje miqësore, që shërbejnë për konfigurimin e ekipit. “E rëndësishme është që ne futbollistët të japim maksimumin dhe të jemi të përqendruar për të përmirësuar parametrat individualë dhe të grupit. Ditët ikin shpejt, ndaj ne nuk duhet të neglizhojmë në asnjë detaj të asaj që na kërkon trajneri në stërvitje. Duke punuar me këtë frymë dhe këtë përkushtim, fillimi i kampionatit do të na gjejë në një formë të shkëlqyer fizike dhe tekniko-taktike. Parashikoj se performanca jonë në këtë sezon do të jetë e kënaqshme dhe do t’i realizojmë ato objektiva, që do të na përcaktojnë drejtuesit tanë”, – ka përfunduar sulmuesi Pepa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *