Xhorxho Kielini mbush 35 vjeç në gusht, por diçka e tillë nuk vihet re kur e sheh duke luajtur. Energjia dhe pasioni i kapitenit të Juventusit janë unik. Dakord, nuk është një mbrojtës i bukur për t’u parë, madje jo vetëm kaq, por bën pjesë te ajo kategori futbollistësh, të cilët e kanë të shenjtë mbajtjen e portës të paprekur.
Kundërshtarët e urrejnë, ndërsa tifozët e tij e adhurojnë. Totalisht i shëmtuar në lojë, por çmendurisht efikas, pavarësisht nëse përballë është Barcelona apo Pistojeze. Shtylla e mbrojtjes bardhezi ka folur gjatë për Tuttosport, aty ku shpreh mendimin e tij për gjithçka. Emrin e trajnerit të ri nuk e di akoma, por ka besim të verbër te zgjidhja e drejtuesve.
Më pas Alegri dhe Konte. Me të dy ka punuar, fituar dhe ndërtuar një raport fantastik. I pari u largua pas 5 viteve me trofe, ndërsa të dytin do e shohë në stolin e “armiqve” të Interit. E çuditshme, por ky është futbolli.
Largimin e të parit e cilëson një mirupafshim në kohën e duhur, ndërsa për të dytin ka bërë gjithmonë tifozllëk. Edhe kur ishte te Çelsi, ndërsa tani jo më. Nuk mundet, si mund ta bëjë?
Në fund Kristiano Ronaldo, pengu Ajaks dhe e ardhmja. Portugezin e adhuron, ndërsa tërheqja nga futbolli është ende larg. Ronaldo është një shembull, të cilin e ndjek dhe tenton t’i kuptojë sekretet, ndërsa në të ardhmen e sheh veten shumë drejtues dhe aspak trajner.
TRAJNERI I RI – “Jam i bindur që do të vijë një trajner i madh. Do te jëtë një emër i denjë për Juventusin dhe do të vazhdojmë të fitojmë. Nuk e keni idenë se sa mesazhe marr çdo ditë. Të gjithë më pyesin për trajnerin e ri. Jam i qetë dhe nuk di më shumë se të tjerët.”
ALEGRI – “Ndarja erdhi në momentin e duhur. E vlerësoj shumë, pasi ka arritur gjëra të papërsëritshme. Ja pse nuk do të surprizohesha, nëse e shihja përsëri te Juventusi pas disa vitesh. Maksi dhe Juventusi kanë shumë dashuri për njëri-tjetrin. Është aq e madhe sa nesër mund të bashkohen përsëri.”
KONTE TEK INTERI – “Do të më vinte keq ta shihja tek ai ekip, por është pjesë e jetës. E kuptoj se flasim për profesionalizëm, por më duket e çuditshme ta shoh Konten zikaltër. Nuk po e kritikoj, të gjithë e dinë se kam një raport special me të. Shpresoj të mos fitojë asgjë. Kur ishte te Çelsi bëja tifozllëk për të, por tek Interi nuk mundem, sinqerisht që nuk mundem.”
RONALDO – “Ai është hyjnor, një entitet superior dhe ka qenë shumë i rëndësishëm për të mbushur boshllëkun që la Xhixhi (Bufon). Kristiano është një shembull për të gjithë me përkushtimin e tij për të punuar. Është integruar për mrekulli në qytet, del shëtit nëpër restorante dhe ka kuriozitet për të njohur Torinon.”
PENGJET – “Kundër Ajaksit nuk luajta, por do të më pëlqente të kishim mundësinë për t’i riluajtur 100 herë dy ndeshjet kundër Ajaksit.”
E ARDHMJA – “Sigurisht që më kalon ndërmend, është natyrale. Në gusht mbush 35 vjeç, kështu që më mbeten për të luajtur një ose dy vite, pothuajse e pamundur që të bëhen tre. Pas tërheqjes e shoh veten më shumë si drejtues sesa si trajner.”