Hasan Lika vendosi të lërë Shqipërinë dhe Vllazninë. Çështje procedurash, duhet të fluturonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkodranët i ka lënë në rrugën drejt Superiores dhe për këtë nuk ka pse e kthen kokën pas. “Jam i detyruar, mendoja ta mbaroja sezonin. Nuk u ndjeva mirë, pavarësisht dëshirës për të shkuar në Amerikë”, thotë mes të tjerash Lika në një speciale të përgatitur nga RTSH Sport. Falënderimet janë të shumta për Vllazninë dhe jo vetëm.
KUPTIMI I FUTBOLLIT – “Për ne ka qenë vetë jeta, pasioni i jetës. Ju e dini që kur flitet për pasion, flitet për ndjenja. Futbolli na e ka kthyer atë pasion që kemi mbrapa, në kuptimin e asaj që na ka bërë këta që jemi”.
MBYLLJA E KARRIERËS SI LOJTAR– “Mund të kisha vazhduar edhe pak më shumë, por ashtu erdhi vendimi. Ishte një vendim i vështirë. Unë u detyrova të largohesha, pasi në atë kohë vendosnin të tjerët dhe jo trajneri. Ishin disa njerëz që pretendonin se e njihnin futbollin dhe kur i kundërshtonim merrnin hak. Nuk kanë gabuar vetëm me mua, por me shumë personalitete të futbollit shqiptar. Kështu që ia lëmë të kaluarës. Më pas kalova direkt si trajner futbolli. I nisa hapat e parë në drejtim”.
IDEJA PËR T’U BËRË TRAJNER – “Dua të kujtoj me shumë respekt dhe dashuri një nga profesorët e mi, Shyqyri Rrelin. Kur na drejtonte në Shkollë të Mjeshtërisë, unë isha pjesa e ekipit të parë të Shkëndijës, na thoshte: ‘Çuna, do vijë një ditë që do jeni në vendin tim. Atëherë do më kuptoni më shumë’. Kështu që ne përgatiteshim që në shkollë në njëfarë mënyre që do ishim nesër pasnesër edhe trajnerë futbolli. Që në moshë të re e kemi parë. Bënim një shkollë futbolli, mbaronim për mësues të edukimit fizik dhe nga ana tjetër në të njëjtën kohë edhe për trajner. Kështu që ishim të përgatitur. E kam menduar shpesh dhe u them futbollistëve që do jenë ata në vendin tim. Kjo histori vazhdon”.
PARTIZANI – “E nisa te Partizani me Bejkush Birçen, të cilin e kujtoj me shumë respekt. Duke më parë nëpër rrugët e Tiranës duke luajtur futboll, më tha: ‘Pse nuk vjen me ne?”. E nisa nga atje dhe më pas u largua te Naftëtari dhe u bashkuam sërish te Partizani. I kujtoj me gjithë respekt të gjithë trajnerët, por sidomos Refik Resmjen. Kur isha 13 vjeç, ai ishte i pari që më ka aktivizuar me djem 19-vjeçarë. Më fuste nga pak. Ekipi ishte shumë i mirë, ishim nënkampionë. Edhe si trajner kam vazhduar me të. E quaj si inspektor të klubit Partizani. I kujtoj me respekt, pasi kanë qenë personalitet të futbollit shqiptar”.
“Partizani është skuadra ku kam luajtur futboll dhe ku kam arritur çdo gjë. Partizani më ka bërë ky që jam. Si trajner punova me moshat nga vitit 1986 deri në vitin 1990. Më pas me Sulejman Starovën nisa si zëvendëstrajner te Partizani. Dashuria është një, nuk ka shumë dashuri. Ato janë pjesë e dashurisë, pasi kryesori është futbolli. E kemi dashuruar futbollin me pasion. Kur ke pasionin, edhe gabon. Thonë që pasioni t’i errëson sytë, por kjo nuk është e vërtetë”.
SHQIPËRIA U21 – “Ka qenë një nga momentet më të mira, sepse nuk është pak të përfaqësosh vendin tënd, atdheun tënd në futboll. Aq më tepër me një grup futbollistësh të rinj, të cilët janë gjithmonë të etur për të ecur përpara. Më vjen mirë që një pjesë e atyre futbollistëve të 21-vjeçarëve kanë kontribuar për një kohë të gjatë për ekipin kombëtar A. I fundit është Agolli. Por më duket ka ngecur edhe Andi Lila”.
Stoli i kombëtares? Dëshira është e çdokujt. Kur je te 21-vjeçarët të bën të pretendosh. Sigurisht që është një ëndërr që e ka çdokush, ashtu sikurse edhe si futbollist dëshiron të shkosh në kombëtare dhe të përfaqësosh vendin. Edhe si trajner ekziston ajo ëndërr. Mund ta kemi menduar pas asaj eksperience. Gjithmonë kam menduar se është më mirë një trajner i huaj. Mendoj se është një zgjedhje e drejtë e FSHF-së”.
PENGU I KARRIERËS – “Normal kemi pengje, ka pasur momente që punët nuk kanë shkuar siç kemi dashur. Mund të them ai titull që nuk fituam në vitin 2008. Gjëja më e rëndësishme në atë kohë ishte fakti që i rikthyem besimin të gjithëve se Partizani mund të dilte kampion. Pas shumë peripecive dhe vështirësive tifozët tanë e kishin humbur besimin. I rikthyen gjatë gjithë vitit. Kujtoj që kemi qenë shumë pikë prapa Dinamos dhe është meritë e gjithë aty djemve, që së bashku ndajmë një nga momentet më të vështira. Pas disa muajve gjërat u përkeqësuan.
I falënderoj të gjithë për atë që dhanë atë vit. Nuk ia dolëm në fund. Ishte një moment që ata që ishin në fushë e morën më lehtë se ç’duhet. U dukej e fituar, pasi Dinamo ngeli me më pak futbollistë. Ishin të paralajmëruar futbollistët dhe për 10 minuta ndodhi ajo që i kisha paralajmëruar në pushim. Ju afruam, por futbolli është goli. Më kujtohet që një nga futbollistët tanë, para se të shënonte Dinamo, ka humbur një rast shumë të pastër. E rëndësishme është që të paktën këtë vit do të dalin kampionë”.
RIKTHIMI I DEMAVE PAS KAOSIT – “E rëndësishme është u rikthyem dhe për t’u përgëzuar janë të gjithë, sidomos tifozët që nuk iu ndanë asnjëherë ekipit. E kam kaluar atë moment të vështirë bashkë me ata. Ishin në çdo kategori ku ishte Partizani. Edhe sot Partizani ka një forcë ndihmëse të madhe, që janë tifozët. I mbaj mend edhe si fytyra, kanë qenë të rinj atëherë. Sot drejtojnë tifozerinë dhe më vjen shumë mirë”.
“Rikthimi në elitë? Atë vit, sigurisht që me shumë vështirësi për shkak se ishte fillimi i rikthimit në Superiore, edhe investimet nuk ishin shumë të mëdha. Presidenti Demi sa kishte filluar dhe nuk është se kishte njohuri shumë për futbollin. Synohej një skuadër që fillimisht të ishte e suksesshme. Kaluam parashikimet”.
DERBI – “Luhet, apo fitohet? Derbi luhet për t’u fituar. Ka shumë emocione, ka shumë detyrim, ka shumë ngarkesë psikologjike për futbollistët dhe drejtuesit. Por që duhet fituar, ose më saktë nuk duhet humbur. Ka qenë traditë që ne kemi fituar gjithmonë më shumë se Tirana. Ata fitonin me Dinamon, kurse Dinamo me ne. Kjo është historia e përballjeve derbi, pavarësisht se tani ka mbetur vetëm Tirana-Partizani”.
KUKËSI – “Ishte një eksperiencë shumë pozitive, që u mbyll me fitimin e Kupës së Shqipërisë. Unë isha në rolin e drejtuesit teknik. Bëra përkohësisht trajnerit pas largimit të Troisit, pastaj e mori drejtimin Duro. Pozitive është që në fund fare fituam Kupën e Shqipërisë”.
LUFTËTARI – “E kam thënë edhe herë të tjera. Mund të duket çudi që pse u largua nj trajner që e çoi ekipin në kupat e Europës. Ata menduan të merrnin një trajner më të ri, ne tani na quajnë në moshë, si të vjetër (qesh). Menduan se do shkonin mirë gjërat. Ata kanë menduar për mirë, edhe kur më morën mua. Ishte sezon i suksesshëm, me rezultate dhe lojë. Edhe pse ishin në pozicion të keq në fillim, por kisha besim se do i largoheshim rrezikut. Ndoshta jo aty ku shkuam”.
VLLAZNIA – “Kam qenë disa herë aty. Edhe jam larguar nga aty. Nuk i thosha dot jo, asnjë nuk mund t;i thotë. Është një nga klubet më të mëdha, një nga skuadrat më spektakolare. Ata prodhojnë sportistë dhe futbollistë në veçanti. Kanë nxjerrë kampionë në çdo sport. Dashuria e Shkodrës është futbolli, jetojnë me të. Patjetër që do i afrohej Superiores. Kryebashkiakja na ka qëndruar pranë, ana financiare nuk ka munguar. Të gjithë bashkë e kemi çuar këtu, ku jemi shumë pranë Superiores”.
https://www.facebook.com/sportrtsh/videos/645431585890432/