Pero Pejiç i thotë mirupafshim Shqipërisë, për të disatën herë në dekadën e fundit, por ndoshta është lamtumirë, sepse kroati është 34 vjeç dhe ndoshta ka ardhur momenti që të rehatohet në shtëpinë e vet. Gjiganti kroat, një sulmues race nga ata që rrallë i vijnë Superiores, ka mbyllur marrëveshjen me Slaven Belupon në Kroaci, duke u bashkuar me Bruno Telushin, raporton “klikaj.hr” në Kroaci.
DIVORCI ME KUKËSIN – Plot 28 gola në 35 ndeshje sezonin e fundit me Kukësin, një rendiment spektakolar, për një futbollist që në Shqipëri ka shkëlqyer kudo ku ka luajtur. Golat kushtojnë dhe Pejiç ishte më i paguari edhe te Kukësi, si zakonisht në karrierën e vet shqiptare. Jo më kot, shpesh Safet Gjici ia kujtonte pagën dhe i kërkonte edhe më shumë gola, por nëse titulli shkoi në Kukës, meritë të madhe ka sulmuesi kroat. Megjithatë, një penallti e humbur kundër Sherifit ishte pika e thyerjes me Kukësin dhe Gjicin.