Bajerni i Mynihut ka vendosur të mos kryejë shpenzime madhore këtë verë, por dihet që merkatoja është e paparashikueshme dhe klubi bavarez është i detyruar të ndryshojë planet, pas deklaratës së agjentit të Robert Levandovskit se sulmuesi polak kërkon të largohet, për të provuar diçka të re në karrierën e vet.
Natyrisht, Bajerni nuk është klub që i shet yjet, por në një situatë të tillë, një ofertë mbi 100 milionë për yllin e sulmit do ta bindë të heqë dorë.
Pikëpyetja është se kush do ta pasojë, por duket se Sport Bild e ka një ide.
Revista gjermane raporton se Bajerni ka piketuar sulmuesin e Lajpcigut Timo Verner dhe ka gati një ofertë të vështirë për t’u refuzuar nga talenti i Gjermanisë.
Lajpcigu kërkon të paktën 100 milionë euro, gjithnjë nëse pranon ta shesë sulmuesin, por Bajerni kërkon lojtarë të rinj dhe gjermanë, Verner është profili perfekt dhe në verë me shumë gjasa do t’ia dalë mbanë ta marrë sulmuesin e kombëtares.