Pasardhësi i Roben, Bajerni përgatit super-ofertën për talentin turk

Në verën e vitit 2017, Roma investoi 13,4 milionë euro për një talent turk. Çengiz Ynder i mjaftoi më pak se një vit në kryeqytetin italian që të bindë me cilësitë e tij dhe të shndërrohet në objektin e dëshirave të klubeve më të mëdha europiane. Lojtari kishte tërhequr vëmendjen e Arsenalit dhe Mançester Sitit, por drejtori sportiv, Monçi vendosi të refuzonte të gjitha ofertat.

Synimi ishte rritja e vlerës së futbollistit, diçka që deri më tani duket e realizuar. Në fund të këtij sezoni, duke vlerësuar edhe precedentët, Roma pritet që të vendosë rreth së ardhmes së futbollistit, bazuar edhe në ofertat që do të paraqiten. Përveç klubeve angleze, Ynder pëlqehet shumë edhe në Gjermani, aty ku komuniteti turk është mjaft i madh.

Lojtari pëlqehet nga Borusia e Dortmundit, por në anën tjetër, Bajerni i Mynihut është gati të bëjë një super-ofertë. Bavarezët po kërkojnë zëvendësuesin e Arjen Roben, kontrata e të cilit përfundon në verë, me holandezin që po shkon drejt 35-vjetorit të lindjes. Pas investimit te një i ri premtues si Koman, Bajerni mund të vendosë të hidhet në sulm për Ynder.

Sipas mediave italiane, gjatë verës bavarezët mund të partaqesin ofertën me vlerë mbi 60 milionë euro, për të bindur Romën që ta shesë yllin turk. Një shifër e tillë do të bënte që klubi verdhekuq të mendohet seriozisht rreth ofertës. Në këtë rast, italianët do të siguronin një përfitim afro 5 fish më të lartë se vlera e investimit.

Por, nëse gjatë verës nuk do të ketë marrëveshje me asnjë prej ekipeve të interesuar, klubi I kryeqytetit mund të vendosë ti rinovojë kontratën, për përmirësim të rrogës. Aktualisht, Çengiz Ynder përfiton “vetëm” 800 mijë euro pagë vjetore dhe 200 mijë euro bonus, ku është mes lojtarëve më pak të paguar nga titullarët e Romës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *