Pas kuintave, si ndërtohen klubet e Superiores!

“Në këtë zyrë ndërtohet çdo verë Skënderbeu”. Zëvendëspresidenti Arlind Boshku të ofron një puro, ndërkohë që presidenti Takaj ka një monitor të madh, një ekran interkativ. Në të majtë vijnë mesazhet në facebook, ndërsa në të djathtë qëndron hapur InStat Football. Ky është një program me pagesë, që ofron të dhëna dhe pamje për lojtarët në gjithë botën. Gola, finalizime, asiste, rikuperime, gjithçka që duhet për të kuptuar, nëse një futbollist ja vlen apo jo. Ja vlen ta paguash, të thotë Takaj, që është duke parë një sulmues. “Jo keq – i thotë partnerit të tij – thuaju që mund të japim deri në 70 mijë euro në vit”.

Skënderbeu është një makineri idesh aktive në merkato. Ky është klubi tipik, ku klubi më së shumti i ofron trajnerit atë që do, duke mos i lënë këtij të fundit hapësira për të bërë shumë zgjedhje. Me merkaton merret personalisht presidenti, i cili një farë nuhatjeje e ka, duke qenë se ka luajtur edhe vetë futboll. Bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë djali Geri, drejtori sportiv Fakiç dhe menaxheri Qormemeti që bashkëpunon prej vitesh me bardhekuqtë. Zakonisht Skënderbeu operon në merkato në tri pista. Lojtarë, të cilët kanë lënë shenjë në kampionatin paraardhës (kujto Ditën, Shkodrën dhe Takun gjatë kësaj vere), të rinj brenda vendit, të cilëve u paguhet kartoni (Gripshi që erdhi nga Teuta në janar për 60 mijë euro), të huaj me cv dhe potencial dhe okazionet “last minute”. Këtu diskutimet janë komplekse. Buxheti sezonal shkon diku te 1.5 milionë euro dhe në fund të sezonit duhet që grupi i lojtarëve të fitojë trofe, të kalojë ture në Europë e madje ndonjëri të shitet në mënyrë që të justifikohet gjithë ai shpenzim. Çdo vit duhet të mbarojë me të paktën 1 euro fitim. Kjo është motoja e klubit.

Kukësi – Kampionët e Kukësit funksionojnë ndryshe. Merkato është në përgjithësi e përqendruar në duart e menaxherit të klubit Naim Halilaj. Presidenti Gjici ka gjithashtu preferencat e tij, por kjo limitohet në 2-3 lojtarë. Sezonin e shkuar, për shembull, presidenti solli vetëm Pejiçin në ekip, duke e konsideruar lojtarin më të rëndësishëm. Halili bashkëpunon me një rrjet menaxherësh, teksa këtë sezon i ka shtrirë tratativat deri në Afrikë. Vetëm pak ditë më parë prezantoi një sulmues nga Etiopia. Sigurisht, si të gjithë, edhe ata duan të shesin, por së shumti merkato bëhet për të fituar titullin. Këtë verë Halili duhet të bashkëpunojë me trajnerin Milinkoviç, që mesa duket është gjithashtu aktiv në merkato. Janë duke projektuar afrimin e Bojomit, që trajneri e njeh mirë, sepse e ka pasur në dispozicion te Luftëtari. Një nga pikat më të forta në klub gjatë periudhës së merkatos është zyra juridike. Kukësi deri tani mund të jetë i vetmi klub në Shqipëri, që nuk ka humbur asnjë gjyq për pagesa apo “për lojtarë të lirë”. Shumë lojtarë ankohen, por në fund kontratat janë të firmosura, të bardhë në të zezë. Verën e shkuar, për shembull, kish një telenovelë Mici, por në fund lojtari iu nënshtrua faktit që ishte i Kukësit dhe për t’u larguar nga veriorët u detyrua të paguante 10 milionë lekë të vjetra për kartonin. Koliçi dhe Emini janë tani dy çështjet e nxehta të verës dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me lejekalimin e tyre. Një nga pikat më të dobëta në klub është shitja e lojtarëve. Diçka është bërë në këto vite, por duke pasur parasysh perfomancat shumë të mira, sidomos në arenën ndërkombëtare, mund dhe duhej bërë më shumë.

Partizani – Partizani këtë verë i ka besuar pothuaj gjithçka nuhatjes dhe përvojës së Luçiano Moxhit. Ai në fakt ka nisur nga puna “nën rrogoz” që në muajin prill. Cetkoviç dhe Torasa nuk ishin të preferuar. “Argjentinasi merr 80 mijë euro në vit dhe nuk shënon asnjë gol”, – mësohet të ketë thënë Moxhi. Ramadani u shit në Danimarkë, qoftë dhe se pse në ekipin e tij të ri trajner shkoi ishi i kuq Sormani, ndërsa Ekubanit i mbaroi viti i huazimit. Një apel për të ardhmen. Nuk ka më lojtarë huazim pa një përqindje të transferimit të ardhshëm. Moxhi vuri veton për trajnerin e ri Mark Juliano. Nuk kish nevojë për interaktivët. Juliano është një besnik i Moxhit si lojtar në të shkuarën, por edhe si trajner tanimë. Moxhi ndikoi që ai të shkonte te Komo disa muaj më parë. Bashkëpunëtori i vetëm shqiptar i Moxhit është Edmond Haxhia, drejtori sportiv i Partizanit, ndërkohë që 3-4 blerjet e radhës vijnë nga tregu italian, nga ku priten dhe 2-3 goditjet e mëdha big. Moxhi shfrytëzoi të gjithë lidhjet e tij dhe për fazën përgatitore Partizani do të shkojë në Norçia, një qytet malor sportiv në Itali, ku në të shkuarën grumbullohej shpesh dhe Kombëtarja shqiptare. Në kampin e kuq kanë hequr dorë nga lojtarë brenda vendit dhe teoria se duhet të dëmtosh kundërshtarët nuk po gjen mundësi hë për hë.

Flamurtari – Në Vlorë funksionojnë në “sistemin” anglez. Presidenca, me sa duket, e lodhur nga dështimet e çdo viti, ku menaxherë, bashkëpunëtorë, apo qoftë dhe miq, i kanë ofruar pa fund trajnerë dhe lojtarë, që në fund rezultuan një blof, tani ka vendosur që t’ia besojë gjithçka trajnerit. Duro nuk është vetëm teknik, por po bën dhe punën e drejtorit sportiv,. Klubi i ka komunikuar dy muaj më parë buxhetin dhe të gjithë lojtarët kalojnë nëpërmjet tratativave me të. Është ai që vendos se kush do të vijë dhe me sa do vijë. Duro i takon personalisht lojtarët dhe ka autorizimin e Idrizit për të diskutuar me ta edhe në lidhje me çështjet financiare. Disa lojtarë i ka marrë nga tregu maqedonas, pasi i ka trajnuar vetë dhe nuk ka pasur arsye t’i shohë në rrjetet sociale apo youtube. Në përgjithësi, të gjithë lojtarët që ka në komandë, i ka stërvitur vetë. I njëjti diskutim vlen dhe me Veliun e Bicin, teksa huazimet me të drejtë blerje janë Kamara dhe Sidibe, dy lojtarë që në Vlorë i njohin, sepse me fanellën e Besëlidhjes i eliminuan në çerekfinale të Kupës. Në përgjithësi po punohet dhe me të rinjtë. Alesio Hyseni qëndroi në ekip, mesfushor 20 vjeç, ndërkohë që Ardit Hoxhaj, pas disa viteve në Ballsh dhe një “aventure” jo  ë suksesshme me Skënderbeun, u rikthye në huazim. Veliu, Kamara dhe Hoxhaj shënuan golat në miqësoren e parë. 90% e skuadrës është mbyllur dhe trajneri i ka parë të gjithë në të shkuarën, qoftë si kundërshtarë e qoftë duke i trajnuar. Nurkoviç, portieri i Kosovës, mbërriti nëpërmjet një agjensie menaxhimi, por Duro gjithashtu e pëlqeu vetë. Mbërritja e lojtarëve nëpërmjet trajnerit ka ulur disi kostot e klubit, që nuk do të paguajë komisione të kripura për ndërmjetësit. Trajneri është përpjekur të punojë edhe me financat. Këtë sezon buxheti i Flamurtarit mund të jetë ndoshta më i vogli në këto 4 vite, por premtimi është deri diku më i madh. Basti i Duros është të shkojë në kupat e Europës dhe ndonjë nga lojtarët të shitet verën e ardhshme. Në këtë mënyrë, ai e ka justifikuar buxhetin, që i është besuar.

Laçi – Në Laç merkatoja konceptohet një biznes familjar. Njeriu më i besuar i presidentit është Kleo, djali i tij. Presidenti Laska i ka idetë të qarta. Buxhet normal, lojtarë agresivë dhe që përshtaten me stilin e lojës të kësaj skuadre. Tratativat i bën djali dhe Pashku ka besim tek ai. Këmbëngulja e djalit solli Xhejmsin 3 vite më parë në Laç. Erdhi me parametra zero, mori një rrogë normale, shënoi 60 gola dhe në fund u largua, duke u shitur për 150 mijë euro te Skënderbeu. Ky po që quhet biznes. Tregu që preferohet është miks. Shqiptarë, diasporë, Kosovë, Maqedoni dhe Afrikë. Lojtarët duhet të jenë 22-26 vjeç, ndërkohë që disa prej tyre mirë është të luajnë në disa pozicione. Karakteri sportiv është shumë i rëndësishëm. Lojtarët në Laç duhet të jenë të urtë, punëtorë dhe jo fodullë. Publiciteti i tepërt nuk bën për këtë skuadër.

Lushnja – Në Lushnjë gjërat janë më të thjeshta. Buxheti është i limituar dhe për blerje të rëndësishme nuk bëhet fjalë. Drejtuesit e klubit, së bashku me trajnerin dhe lojtarët kryesorë, kanë punuar për të konfirmuar pjesën më të madhe të grupit, që luajti dhe fitoi në grupin e jugut në kategorinë e parë sezonin e shkuar. E parë në këtë këndvështrim, mund të konsiderohet një sukses, sepse 99% e lojtarëve që luajtën një vit më parë, janë sërish pjesë e Lushnjës. As menaxherë, as youtube dhe e as strategji e shitje. Mbijetojmë me pak kosto dhe më së shumti me lojtarë vendës.

Kamza – Në Kamzë binomi i merkatos është Qarri-Ndreu. “Daku”, siç e ka nofkën presidenti, po punon më së shumti me klubin. Ai u mor me federatën për rregullimin e infrastrukturës dhe tani fusha pothuajse është gati. Ai, duke qenë dhe aksionari kryesor, është gjithashtu dhe një katalizator me bashkinë, sepse kjo e fundit vit për vit akordon një fond për skuadrën e futbollit dhe Qarri dëshiron të dijë sa është fondi dhe kur shpërndahet. Me ekipin në përgjithësi po merret Ndreu, trajneri. Ai ka punuar në të shkuarën drejtor sportiv dhe në Krujë e në Laç dhe kësisoj e ka të thjeshtë ta bëjë këtë punë. Ka shumë përvojë dhe njeh shumë lojtarë, me të cilët ka pasur madje edhe kontakte si trajner. Menaxherët qasen pak, ose pothuajse fare, sepse në përgjithësi Ndreu operon me njohje personale. Ai bën takimet me lojtarët, bën tratativat dhe në fund jep “Ok”-in ose jo për blerjet. Në përgjithësi, synohet tregu shqiptar ose lojtarë që në të shkuarën e afërt kanë lënë gjurmë në Shqipëri, siç është rasti i Raçiçit, që ka luajtur tre sezone më parë me Partizanin, shkoi në Maltë dhe tani mund të rikthehet me Kamzën. Kanë në kokë një skuadër mbijetese dhe për këtë arsye duan lojtarë të sprovuar në këtë drejtim.

Teuta – Në Durrës klubi bashkëpunon në të gjitha drejtimet, presidenti drejtori sportiv dhe trajneri. Si gjithnjë, u jepet shumë vëmendje të rinjve. Të paktën dy lojtarë do të kenë vëmendjen e klubit këtë vit nga U-19. Lajthia dhe Vila duken premtimet e mëdha të së ardhmes. Ndërkohë, Magani ka filozofinë e tij. Do lojtarë, të cilët hyjnë në fushë si “ushtarë” dhe dalin nga ajo si “gjeneralë”. Skuadra po ribëhet, po punohet me njohje personale, me menaxherë, me të rinj, madje dhe me të huaj. Të gjitha burimet e mundshme po shfrytëzohen për ndërtimin e një ekipi konkurrues.

Vllaznia – Në Shkodër gjërat funksionojnë pak a shumë si në Vlorë. Trajneri Cungu ka në përgjithësi liri të plotë të zgjedhë, në varësi të financave që ka. Punë jo e lehtë, duke pasur parasysh që buxheti nuk është i lartë dhe mungon kësti “cash”, që është një kërkesë e pothuaj gjithë futbollistëve. Vazhdon të preferohen lojtarët shkodranë. Këtë verë mund të thuash se Hasani dhe Lika janë goditje të mëdha. I pari është bindur vetëm nga Cungu për të mbërritur në ekip dhe për këtë trajneri duhet lavdëruar. Trajneri punon me bashkëpunëtorët e tij dhe me menaxherë të ndryshëm. Në viber është live 24 orë në 24.

Luftëtari- Në Gjirokastër, njeriu më i rëndësishëm në merkato është drejtori sportiv Gentian Nora. Ai bën gjithçka, cakton trajnerin dhe grumbullon lojtarët. Ai ka një profil në pamje të parë të ulët, por funksionon vetëm me “fair-play” financiar. Ai është pa asnjë diskutim “heroi” i heshtur i sezonit të shkuar. Lojtarë me një rrogë mesatare 13 mijë euro në vit, emra jo të mëdhenj, por një futboll i bukur dhe një grup që funksionon. Nuk është rastësi, që kampionët morën trajnerin e Luftëtarit dhe që të paktën 6-7 prej futbollistëve të tyre kërkohen edhe në Europë e jo vetëm në Shqipëri. Ai punon shumë mirë me tregun afrikan, ndërkohë që bashkëpunon gjithashtu dhe me një agjensi greke menaxhimi trajnerësh dhe lojtarësh.

Tirana – Te Tirana gjërat janë disi më të thjeshta. Tregu afrikan propozohet nga menaxheri Hektor Çomo, lojtarët që vijnë nga akademia propozohen nga Sulejman Mema dhe Devi Muka, ndërkohë që për blerjet “big” presidenti bashkëpunon me… veten dhe bindjet e tij. Trajneri jep në fund “ok”-in, madje ka të drejtë të marrë 2-3 lojtarë nga “koka e tij”. Në fund, objektivi është i qartë, rikthim në Superiore, fitimi i Superkupës, finalja e Kupës dhe krijimi i një portofoli të paktën 300 mijë euro shitje në verën e ardhshme

Sms, viber, youtube, instafootball, telefonata, udhëtime, gjithçka që duhet për të ndërtuar një skuadër të denjë. Në fund fiton që ai shpenzon më pak para dhe arrin më shumë rezultate sportiv. Sezonin e shkuar çmimin e madh e mori Luftëtari. Me 200 mijë euro buxhet ndërtoi një skuadër që ja vlen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *