Pas Hasanit, në Shkodër pritet Gilman Lika

Për Vllazninë duket se po vijnë ditë të mira. Sinjalet pozitive u dhanë javën e kaluar, kur në kampin kuqeblu pati një sërë firmash. Natyrisht që ajo më e shumëpritura ishte ajo e mesfushorit Edon Hasani, i cili konkretizoi atë premtim që kishte dhënë për tifozërinë shkodrane, teksa riveshi fanellën e Vllaznisë. Kjo është blerja e parë nga lista, që trajneri i shkodranëve, Armando Cungu, ka paraqitur ditë më parë, ndërkohë që në ditët në vazhdim priten edhe të tjerë. Përpos kësaj, trajnerin Cungu e kanë ngrohur jo pak edhe firmat e titullarëve shkodranë. Fillimisht ato të Kalasë dhe Tafilit, të cilëve u kishte përfunduar kontrata me Vllazninë, por më pas edhe e Gocajt, Markut, Gurishtës dhe Pjeshkës, të cilët kanë rinovuar vazhdimin e kontratës me kuqeblutë.

Pista “Lika”, më afër se kurrë
Në emrat e përfolur për një rikthim në shtëpi është edhe ai i shkodranit Gilman Lika, një futbollist tashmë me një përvojë të gjatë, brenda dhe jashtë vendit, pa harruar edhe aktivizimet e suksesshme me kombëtaren kuqezi. Lika e ka shprehur hapur dëshirën për të riveshur fanellën e Vllaznisë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se ofertat në adresë të Likës nuk është se kanë munguar edhe nga skuadrat e tjera. Por për Gilmanin ekzistojnë disa arsye, përfshirë edhe ato personale familjare, që e favorizojnë për të luajtur me fanellën e skuadrës së qytetit të lindjes. E megjithatë, deri më tani, edhe pse kontaktet me drejtuesit kuqeblu nuk kanë munguar, nuk ka pasur avancim më tej të projektit në fjalë. Nga sa bëhet e ditur, ndër të tjera, pengese në këtë drejtim ka qenë faktori “Shtubinë”, i cili për shumë ditë me radhë ishte pjesë e diskutimeve në zyrat e klubit Vllaznia. Nëse Shtubina do të qëndronte, duke qenë se në një farë mënyre i përkasin të njëjtit pozicion, alternativa “Lika” do të ishte më pak e favorshme për t’u marrë në konsideratë. Drejtuesit dhe, më së shumti, vetë trajneri Cungu nuk kanë qenë kurrsesi të mendimit për ta larguar Shtubinën nga skuadra, pasi shërbimet e tij janë vlerësuar përherë si mjaft pozitive. Por pamundësitë për t’iu plotësuar kërkesat personale të shtruara prej tij bënë që Shtubina t’i përgjigjej pozitivisht një oferte më joshëse nga Kukësi. Në të tilla kushte, kur tashmë largimi i Shtubinës është bërë zyrtar, pista “Lika” është më afër se kurrë konkretizimit. Nga burime të brendshme brenda klubit kuqeblu mësohet se me Likën drejtuesit kanë qenë në kontakt edhe gjatë ditëve të mëparshme, por ajo që mbetet për t’u diskutuar në këtë mes është takimi i trajnerit Cungu me vetë lojtarin. Palët në këtë rast nuk është se nuk njihen, por normalisht që biseda pritet të jetë e përqendruar direkt në raportet që lojtari do të ketë me ekipin, apo dhe me shërbimet që do t’i japi formacionit. Gjithnjë nëse Lika do të pranojë të firmosë për Vllazninë. Të gjitha këto pritet të jenë prezente brenda kësaj jave, pse jo duke filluar që nga dita e sotme, ku një OK i Cungut do të bënte që drejtuesit e klubit të nisnin procedurat në lidhje me kushtet dhe parametrat financiare të kontratës zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *