Antuan Grizman është një nga lojtarët më të mirë në botë. Francezi është rritur shumë që nga koha kur ishte pjesë e Sociedadit. Sot është ylli i Atletikos së Madridit dhe sapo ka mbyllur një vit të mrekullueshëm, duke fituar tre trofe, mes tyre dhe Botërorin me Francën e tij.
Sulmuesi ka folur për ”Oh my Goal”, aty ku jep mendimin e tij rreth futbollistit më të mirë të historisë së futbollit. Grizman zbulon dhe partnerin me të mirë me të cilin ka luajtur. Ai është braziliano-spanjolli Diego Kosta, me të cilin formon një dyshë tepër të frikshme. Në fund formacioni më i mirë me 5 lojtarë, aty ku ka vetëm një mbrojtës dhe asnjë… portier!
MË I MIRI – “Futbollisti më i mirë i historisë së futbollit varet nga koha dhe periudha, por mendoj se ai është njëri mes Mesit dhe Ronaldos. Nuk i kam parë Pelenë dhe Maradonën dhe është një pyetje e vështirë. Çdo lojtar ka stilin e tij. Mes më të mëdhenjve është dhe Zidani, i cili ka fituar Botëror, ndërsa Mesi e Ronaldo nuk ia kanë dalë.”
PARTNERI MË I MIRË – “Diego Kosta. Ai më ndihmon që të jem më i lirshëm në lojë në të gjithë fushën. Skuadra e ëndrrave me 5 lojtarë? Unë, Dembele, Kante, Godin dhe David Bekam. Nuk kemi nevojë fare për portier.”