Qëllimi justifikon mjetin! Të kuqtë duan të fitojnë gjithçka dhe i kanë objektivat e qarta për të fituar të dy trofetë këtë sezon. Presidenti Gaz Demi nuk është kursyer aspak, ashtu siç nuk po e bën as për trofeun e tij personal, kompleksin e Partizanit. Numri një i klubit i ka dhënë dorë të lirë drejtorit të Përgjithshëm Luçiano Moxhi dhe i ka pranuar edhe shpenzimet “e çmendura” për një ekip të Superligës shqiptare. “Demat” po ndërtojnë një ekip me projekt afatgjatë dhe me sy nga Kupat e Europës, pasi suksesi në këto kompeticione përkthehet edhe në të ardhura të mira financiare. Megjithatë, nëse i hedh një sy borderosë së klubit nga viti që lamë pas në këtë prag sezonit, shifrat janë të frikshme. Mjafton të përmendësh emrin e Edgar Çanit dhe pagën e tij. Madje mund të thuash me plot gojë se rroga e tij mund të jetë borderoja e 1 apo 2 ekipeve të Superiores, plus, minus ca euro.
RRITJA E BORDEROSË – Shpenzimet në klubin e Partizanit janë rritur, pasi përveç afrimit të lojtarëve që kushtojnë ka pasur edhe një rritje të ardhurash për stafin teknik. Trajneri italian Mark Juliano, zëvendësi i tij Dosena, Dalipi, trajneri i portierëve Kapeçe dhe përgatitësi atletik Korrado Sakone përfitojnë rreth 15 mijë euro në muaj së bashku. Drejtori Preiti ka një rrogë prej 3 mijë eurosh në muaj, pa harruar edhe Genc Tomorin dhe pjesën tjetër të administratës që ka kosto më të ulëta. Në total vetëm stafi i Partizanit duke përfshirë edhe logjistikën mund të kapë shifrën e 22 mijë eurove.
Për të kaluar te lojtarët, prin listën sulmuesi Edgar Çani me mbi 9 mijë euro në muaj, që ka dyfishuar borderonë e “demave” nga sezoni i shkuar. Afrimet e Herrerës, Adorjan dhe La Kamera, nga të cilët pritet shumë, për të mos harruar edhe afrimet e tjera dhe lojtarët e tjerë që kanë qenë në ekip.
Sezonin e kaluar borderoja e skuadrës ishte më e vogël, pasi Ekubani nuk kishte shifra të frikshme, Torasa kishte rrogë të lartë, një ndër arsyet e largimit të tij, ndërsa pjesa tjetër ka pasur përfitime normale. Ky vit duket se do të jetë mjaft i rëndësishëm, pasi për Partizanin, qëllimi duhet të justifikojë mjetin!