Flamurtari mbërrin në Veria, Kamara-Sidibe presin vizën

Vlonjatët nisën në Greqi dyjavëshin e dytë të fazës. Mbërrin në Vlorë edhe 18-vjeçari nga Mali, Ibrahim Tungara, i cili u stërvit bashkë me dy afrikanët e tjerë

Elton Nika

Flamurtari ka mbërritur dje në Greqi, ku ka zhvilluar edhe një seancë stërvitore gjatë pasdites. Skuadra vlonjate është nisur rreth orës 7:00 nga stadiumi dhe ka arritur në Veria rreth mesditës. Lojtarët janë qetësuar disa orë dhe më pas kanë qenë të gatshëm për të bërë seancën e parë stërvitore në tokën greke, natyrisht, më tepër shkrythëse, duke pasur në konsideratë faktin se skuadra kishte udhëtuar jo pak orë. Në Veria Flamurtari do të qëndrojë për një periudhë gati dyjavore dhe nga sot nis zbatimi i një programi të hartuar nga stafi teknik. Janë parashikuar nga dy seance stërvitore në ditë, ndërkohë që kushtet në Veria janë mjaft komode, me temperatura shumë më të freskëta se në Vlorë, pra ideale për fazë përgatitore.

MIQËSORET – Edhe në Greqi skuadra e Flamurtarit pritet të zhvillojë të paktën tri ndeshje miqësore, por kundërshtarët ende nuk janë konfirmuar. Mundësitë janë të mëdha që njëra të jetë ndaj ekipit vendës të Verias. Në një nga tri ndeshjet miqësore do të jetë i pranishëm edhe administratori Sinan Idrizi, i cili pritet që për dy-tre ditë të qëndrojë pranë skuadrës në Greqi. Kampionati grek nis më 19 gusht dhe do të jetë ndoshta e vështirë për të gjetur një kundërshtar nga elita e futbollit grek. Sidoqoftë, kushdo që të jetë kundërshtari, Flamurtarit i vlen, sepse janë ndeshje testuese, që ndihmojnë në përmirësimin e lojës së grupit. Për më tepër, Flamurtari ka afruar shumë lojtarë në merkato dhe trajnerit Shpëtim Duro i duhet pak kohë që ta konsolidojë grupin. Ai do të shohë nga afër gjendjen e të gjithë futbollistëve dhe më pas do të bëjë zgjedhjet e tij.

TUNGARA – Kompletohet skuadra vlonjate. Abubakar Ibrahim Tungara mbërrin në Vlorë dhe prezantimi i tij zyrtar është gati. Lojtari 18- vjeçar nga Mali ka mbërritur dje në qytetin bregdetar, ku do të zhvillojë stërvitje gjatë kësaj periudhe. Lojtari ka zhvilluar madje edhe një seancë të lehtë që dje, bashkë me dy afrikanët e tjerë Sidibe dhe Kamara, të cilët janë në pritje të vizës, pasi kanë aplikuar të premten. Shumë shpejt ata do t’i bashkohen skuadrës në fazën përgatitore në Veria. Ditët në vijim do të shihet, nëse ekziston mundësia për të siguruar një vizë greke edhe për 18-vjeçarin Tungara, me qëllimin që edhe ai të jetë nën urdhrat e trajnerit Duro në Greqi. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë sulmuesi do të zhvillojë stërvitje të veçantë në Vlorë, nën kujdesin e trajnerit të 19-vjeçarëve të Flamurtarit.  Sulmuesi nga Mali, Ibrahim Tungara, cilësohet si një lojtar me  perspektivë dhe kontrata e tij pritet të jetë trevjeçare. Gjithsesi, lojtari duhet të luftojë për një vend në formacion, duke parë edhe konkurrencën në këtë repart. Veç Bushiçit dhe Alveshit, një vend në formacion synon edhe vlonjati Ardit Hoxhaj, por tashmë edhe 18-vjeçari Tungara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online