Partizani nuk do të ketë ndryshime në formacion. Qendra e mbrojtjes është dilema e vetme. Basrak do të jetë në majë të ekipit
Skuadra e Partizanit po përgatitet për ndeshjen kundër Flamurtarit, në program, ditën e diel, ora 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Trajneri Juliano po përgatit skuadrën nga “Qendra Stërvitore e Ekipeve Kombëtare”, në Kamzë. Tekniku i të kuqve ka filluar të mendojë edhe për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës nga minuta e parë. Alternativat nuk mungojnë për teknikun italian përveç sulmit, ku Çani dhe Sukaj janë të dëmtuar.
Numri një i stolit nuk do të bëjë shumë ndryshime, pasi paraqitjet e mira të ekipit në ndeshjet e fundit dhe fitoret e njëpasnjëshme kanë bërë që edhe Juliano të bjerë në qetësi. Megjithatë, ai ka dilema edhe për titullarët e së dielës. Dilemat janë në mbrojtje.
MBROJTJA – Nëse në krahun e djathtë Progni ka bërë mjaft mirë dhe ka arritur të përshtatet shkëlqyeshëm duke bindur stafin teknik, nuk mund të thuhet se është i njëjti stabilitet edhe në qendër të mbrojtjes. Juliano i gëzohet afrimit të Malotës, por ka mëdyshje për partnerin që do të ketë lezhjani në krahun e tij. Ibrahimi bëri mirë në ndeshjen kundër Vllaznisë, Krasniqi shihet me syrin e titullarit, ndërsa në krahun e majtë, akoma nuk është vendosur. Kalari është gati, ndërsa gjatë javës trajneri italian i ka dhënë besim edhe Kotobellit duke ngritur pikëpyetjet për formacionin titullar. Megjithatë, nga minuta e parë pritet 33-vjeçari, pasi ka zhvilluar paraqitje të mira deri tani dhe me rikthimin e tij në krahun e majtë, Partizani nuk ka humbur asnjë ndeshje.
FORMACIONI – Nga minuta e parë do të luajë portieri Hoxha. Në krahun e djathtë të mbrojtjes do të luajë Progni. Malota në qendër, ndërsa partneri i tij mbetet për t’u parë sot në stërvitjen e fundit. Në krahun e majtë me shumë mundësi Kalari. Mesfusha me kapitenin Batha, La Kamera dhe Vila. Sulmi do të jetë me Trashin, Adorjan dhe Basrakun. Sulmuesi do të konfirmohet edhe për këtë ndeshje, ai po kalon një formë të mirë dhe goli kundër Flamurtarit, pritet nga këmbët e tij.
Malota dhe Kalari me grupin
Dy mbrojtësit e dëmtuar, Malota dhe Kalari, kanë zhvilluar stërvitje të plotë me grupin ditën e djeshme. Lezhjani dhe tiranasi kanë lënë fushën e lojës në ndeshjen kundër Vllaznisë, për shkak dëmtimit dhe janë afruar me grupin vetëm ditën e djeshme. Të dy kanë përballuar ngarkesën e teknikut Juliano dhe janë gati për të luajtur nga minuta e parë.
Formacioni i mundshëm i Partizanit
Hoxha
Progni Malota Krasniqi Kalari
Batha La Kamera Vila
Trashi Basrak Adorjan