Kthimi nga Turqia u pasua me polemika pa fund te Partizani, pas sherrit Starova-Trashi, por ndërkohë sot ka nisur stërvitja për të përgatitur sfidën e së premtes në Vlorë.
Në stërvitjen e sotme natyrisht mungonte Lorenc Trashi, tashmë i dënuar nga klubi të stërvitet me Partizanin B pa afat.
Ndërkaq, janë shtuar dy fytyra të reja dhe një prej tyre ka qenë surprizë.
I pari është Emran Ramadani, anësori ofensiv i marrë nga Renova, i cili nuk është prezantuar nga klubi, por ndërkohë ka rrëfyer për Sport Ekspres se ka firmosur, pas bisedës me drejtorin e përgjithshëm Olsi Rama.
Duket se projekti i këtij të fundit, me një ekip të ri dhe me të ardhme, që mundësisht do të shesë lojtarë, ka nisur të vihet në jetë.
Kjo për faktin se në stërvitje ka dalë edhe mbrojtësit Senad Hysenaj, 18-vjeçar nga Shkodra, i cili këtë sezon është graduar nga Vllaznia U-19 te Vllaznia B dhe ka luajtur tre ndeshje titullar në Kategorinë e Parë.
Duket se Partizani e ka pikasur, sepse në fakt e ndjek prej kohësh dhe tashmë ka arritur ta bëjë të vetin, edhe pse është e qartë që Hysenaj do ta ketë të vështirë të gjejë hapësirë për momentin te të kuqtë dhe me shumë gjasa do të aktivizohet me partizanin B dhe të rinjtë.