Partizani do të rikthehet sot në stërvitje, pas pushimeve të Europa Leagues. Skuadra e kuqe nuk ia doli që të kualifikohej, pasi përballë kishte një ekip të fortë si Maribori. Kryeqytetasit rikthehen sot në stërvitje, pasi do të nisin përgatitjet për fillimin e sezonit nga Peza.
Trajneri Skënder Gega do të ketë në dispozicion sulmuesin e ri Rubin Hebaj, ndërsa Stefan Nikoliç u largua përfundimisht. Tekniku ka kërkuar dhe përforcime të tjera në sulm. Edgar Çanit i është bërë dalje, ndërsa nuk dihet nëse ai do të stërvitet me grupin sot. Në këtë mënyrë, drejtuesit po mendojnë për merkato dhe synojnë të afrojnë një lojtar me eksperiencë në ekip.
Në tregun shqiptar emrat mungojnë, ndërsa po shihet në tregun e huaj. “Demat” mund të kenë dhe një rikthim të bujshëm në Superiore, pasi po mendojnë për ndonjë futbollist që ka luajtur më herët në Superiore. Pas përfundimit me sulmin, ata do të ndërhyjnë dhe në mbrojtje.