Partizani do të zhvillojë përgatitjet për sezonin e ri në Itali. Trajneri Mark Juliano dhe stafi i tij do të kenë në dispozicion për një periudhë 2-3 javore skuadrën në grumbullim të plotë. Kjo bën që trajneri të njohë më mirë futbollistët e tij dhe grupi të arrijë ndërlidhjen mes tyre. Në Itali, Partizani do të përballet edhe me kundërshtarë të nivelit të lartë, pasi burime pranë klubit të kuq bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se emri i parë që pritet të vihet përballë “demave” është Ternana, por edhe Salernitana është propozuar.
TERNANA – Ekipi i të kuqve e vuajti jo pak mungesën e miqësoreve në fazën e fundit përgatitore në Ohër. Ish-trajneri Sulejman Starova ia vendosi një pjesë të fajit për eliminimin edhe mungesës së minutave të lojës. Burime brenda klubit të kuq bëjnë me dije për “Sport Ekspres” se një ndër kundërshtarët që do të përballet Partizani është Ternana. Ekip ky që militon në Serinë B. Juliano do të ketë mundësinë të shohë edhe nivelin e futbollistëve të tij përballë edhe klubeve të futbollit italian. Takimi ndërmjet Ternanës dhe Partizanit do të luhet më datë 19 gusht.
SALERNITANA – Më 25/26 gusht nis Seria B italiane dhe Salernitana po kërkon një rival për të luajtur një miqësore në javët para fillimit të kampionatit. Një kompani që merrem me organizimin e ndeshjeve miqësore po bisedon me dy klubet, me synimin që në gusht të luhet miqësorja Salernitana-Partizani.
VENDNDODHJA – “Demat” do të akomodohen pranë qytezës së Norçias, e cila ndodhet në provincën e Peruxhias. Rreth 20 kilometra larg Norçias është Kashia, një fshat pranë qytezës Rokaporena, aty ku mendohet se Partizani do të qëndrojë, në një prej komplekseve sportive të zonës. Në Norçia dhe zonat përreth stërviten edhe shumë ekipe të tjera italiane për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.