Mateo Hasa: Besën llogariteni pretendente, kompletohemi së shpejti

Qendërsulmuesi shtatlartë është optimist për ekipin kavajas. “Grupi aktual, ku janë disa futbollistë të rinj të talentuar, si dhe 2-3 përforcime, rrisin potencialin tonë”.

Fatmir Efica

Pak ditë para startit zyrtar të stërvitjes së parë për sezonin e ri, që është menduar se do të jetë e hëna e ardhshme më 31 korrik, qendërsulmuesi shtatlartë Mateo Hasa, ka deklaruar se Besa do të jetë një prej skuadrave pretendente të grupit A. Sipas Hasës asgjë nuk mungon. Tradita e madhe, përvoja dhe lojtarët e talentuar në Kavajë janë me shumicë. 24-vjecari ka qenë dhe është në rreshtin e atyre që i pëlqen ideja se me disa ndryshime të qenësishme që pritet të ndodhin edhe në strukturat drejtuese, dhe me 2-3 përforcime cilësore, do të rritet edhe më tepër potenciali i grupit aktual, duke e bërë Besën në sezonin e ri një skuadër shumë e fortë. Ja intervista e përcjellë dje në mesditë për “Sport Ekspres” nga qendërsulmuesi kavajas.

-Mateo, pushimet janë në limitin e tyre dhe tashmë starti i përgatitjeve po troket…

Pushimet kanë vlerën e tyre, por ne futbollistëve dihet se na “hanë këmbët”. Vendi ynë është fusha. Stërvitje individuale kemi bërë, por ato të organizuarat kanë rolin e tyre. Momenti kërkon që ne duhet të nisim sa më parë nga puna për sezonin e ri, pasi disa prej skuadrave kanë nisur.

-Po e quani të vonuar grumbullimin e skuadrës kavajase?

Jo, jo. Nuk e them këtë. Para dorëheqjes së ish-trajnerit Duro, Besa pati kryer sistematikisht nga dy seanca stërvitore në javë, të mjaftueshme për të mbajtur e ruajtur formën sportive në këtë periudhë. Por ky rregull u “fshi”, sepse siç është deklaruar te Besa do të ketë disa ndryshime të rëndësishme në organizimin e klubit dhe të skuadrës, që natyrisht janë të mirëpritura për shumë e shumë arsye.

-Duket ca e tepruar të themi që Besa është pretendente ende pa nisur puna?

Kam bindje të palëkundur për këtë. Jemi një ekip me tradita të mëdha. Përvoja e më shumë se gjysmës së grupit aktual të futbollistëve, është vërtetë e konsiderueshme. E çmoj mjaft ndihmuese për të hyrë me pretendime në sezonin e ri. Nga sa është thënë paraprakisht, nga merkato e kësaj vere Besa do të sigurojë shpejt shërbimet e 2-3 futbollistëve cilësorë, që në një farë mënyre do ta shëndoshnin edhe më grupin e do të rrisin cilësisht potencialin e skuadrës sonë.

-Ndryshe nga dy vite më parë, që kërkuat një “provë” në Holandë, tani jeni i përqendruar vetëm të luani në me Besën…

Kam tentuar dy vite më parë të luaj në kampionatin holandez, në një ekip ku menaxheri im i kishte kopsitur paraprakisht bisedat, madje qëndrova disa ditë atje dhe e kalova testin. Fati i keq është se në fund të sezonit kjo skuadër ra në ligën e parë dhe në vazhdimësi u prishën të gjitha “fijet” për të luajtur atje.

-Përgjithësisht bëni pjesë në grupin e lojtarëve që i karakterizon optimizmi…

Unë kam plot tetë vite që luaj me Besën dhe kam kaluar edhe momente të mira, e madje shumë të mira, pasi në 2010 fituam Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë, por dhe “keqardhjen” që kemi 3 vite që luajmë në Kategorinë e Parë. koj kategori për ne si Kavajë është një “ferr”, por shpresoj që në sezonin e ri të jemi ekipi që do të ngjitemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online