Zakonisht, dita pas ndeshjes është pushim, por Partizani k dalë në fushë sot paradite, pr seancën e radhës në Kamzë. Heshtje totale, nuk është momenti i duhur për muhabet e batuta, ndërkohë që është stërvitur me grupin edhe Edgar Çani, i cili pritet të luajë të paktën një pjesë loje të mërkurën në kupë.
Ndërkaq, është stërvitur normalisht edhe kapiteni Alban Hoxha, i cili do të jetë në fush ndaj Kukësit në fundjavë, por nuk ishin në stërvitje Trashi e Sukaj, me leje.
Në një prononcim për Supersport, Genc Tomori është munduar të qetësojë ambientin që zien pas humbjes ndaj Laçit: “Nuk na vjen mirë. Zhgënjyem me rezultat. Megjithatë, ishte vetëm ndeshja e parë, objektivat nuk ndryshojnë dhe Partizani do të synojë titullin. Ajo që ndodhi ndaj Laçit ishte thjesht një aksident. Kjo është merkatoja më e mirë që klubi ka bërë krahasuar me vitet e tjera.”
Drejtuesi i lartë i Partizanit paralajmëron se po afron debutimi i Çanit, ndërsa nuk merret me çështjet e krijuara dje: “Edgar Çani është pjesë e skuadrës dhe kjo mendohet të jetë java e tij. Megjithatë, do të varet nga gjendja e futbollistit dhe nga stafi teknik. Nuk ka çështje Hoxha, por mungesa e tij në fushë ishte një tregues se klubi i mëshon disiplinës. Për sa i takon mosaktivizimit të Bathës, po flasim vetëm për një ndeshje, në të cilën nuk luajtën as Malota e Krasniqi. Te Partizani ka 23 futbollistë, që janë të gjithë rëndësishëm.”