Gjergji Stefa ka qenë i pranishëm në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“. Gazetari lisotn disavantazhet e problemit të lindur në këtë fillim sezoni me fushat. Më tej Stefa tregon se shumë lojtarë që Rama i ka sugjeruar gjatë verës janë refuzuar nga ana e Ilir Dajës. Sipas tij ky Partizan luan me frikë.
“Të luash 4 ndeshje nga 5 dhe në fusha asnjanëse, nuk tingëllon mirë. Shndërrohet pak në kufijtë e qesharakes. Shpresoj që nga janari 4 nga 5 ndeshjet të luhen në fusha të ndryshme. Kur skuadra nuk luan në qytetin e saj, humbet lekët e biletave. Ajo që mua nuk më pëlqen në këtë kampionat, është që frika për të mos humbur ka filluar që të ndikojë që në fillim. Është frika shumë e madhe, që qëndron në kokat e trajnerëve dhe në këmbët e lojtarëve. Kjo përveç se nuk sjell fitore, sjell lojë jo të bukur.
Frika që ekziston në kokën e Dajës, qoftë edhe për një raport delikat që kishte këtë verë me drejtuesit, transmetohet edhe te lojtarët. Partizani luan me frikë. Shumë lojtarë të ofruar nga Olsi Rama, janë refuzuar nga Ilir Daja. Këto janë ato që kemi mësuar ne gazetarët.”, është shprehur Gjergji Stefa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/