Partizani dhe Kukësi, në kërkim të identitetit

Si “demat” e kryeqytetit, ashtu dhe “armata” kuksiane nuk po arrijnë që të përligjin pretendimet që kanë në këtë fillim kampionati

Jurgen Zela

Kampionati sapo ka nisur dhe “motorët” sapo janë ndezur. Java e dytë e Superiores rezervon një përballje sa interesante dhe delikate. Nëse nuk do të ishte fillimi i kampionatit, një ndeshje mes Partizanit dhe Kukësit do të konsiderohej një duel titulli, por në një moment të tillë situata është tjetër. Ndoshta në fazat e mëvonshme mund të vlejë, por në këtë pikë të dyja skuadrat janë në kërkim të identitetit. Normalisht nuk mund të hidhet poshtë historia e Partizanit, apo statusi kampion i Kukësit, por në momentin ku ndodhemi, të dyja skuadrat kërkojnë të konfirmojnë veten si skuadra pretendente për titull, duke pasur parasysh se nuk gëzojnë momentet më të mira të mundshme.

Natyrisht që në nisje të edicionit këto “ngërçe” të vogla janë normale, por në një kampionat ku shohim që diferencat janë shumë të vogla, ku durimi për rezultat është i kufizuar, zgjidhja do të ishte një fitore, në një ndeshje që ndoshta në teori përligj fjalën “derbi”. Në mungesë të Tiranës, Partizani kërkon sfidat e mëdha pikërisht në përballjet me rivalët për titullin kampion. Në shtëpinë e “të kuqve” Kukësi nuk ia ka dalë që të triumfojë asnjëherë. Megjithatë, një triumf sot do të vlente akoma më shumë, pasi do të hidhte pas krahëve humbjen në Superkupë, paraqitjen jo sipas pritshmërive me Kamzën, si dhe atë hap fals me Egnatian. “Demat” do të tentojnë të marrin trepikëshin e parë, për të treguar se humbja me Laçin ishte vetëm rastësi dhe gjithçka është “gatuar mirë” për të synuar titullin. Me shumë ndryshime nga edicioni i kaluar, Kukësi dhe Partizani do të hapin serinë e ndeshjeve të mëdha të edicionit të 79-të të kampionatit shqiptar.

Një Partizani-Kukësi mbrëmjen e një të hëne, do të na pëlqente në të tjera kushte, por në një situatë të tillë, ndoshta do të jetë një sfidë akoma dhe më interesante, ku fundi mund të sjellë rrugë të ndryshme. Normalisht suksesi për cilëndo skuadër do të bënte që skuadra të vihej në shinat e duhura, ndërsa humbja mund të sillte ndonjë “furtunë”, që në Shqipëri nuk do të ishte çudi ta shihnim, edhe pse luhet vetëm java e dytë. Milinkoviç ka treguar sezonin e shkuar me Luftëtarin se po t’i jepte kohë mund të sjellë rezultat, ndërkohë Juliano ka një të shkuar të madhe si futbollist. Një sfidë brenda sfide, ku rezultati përfundimtar mund të sjellë dhe një konkluzion për dy trajnerët.

Humbësi? Është ende herët, por një betejë do e ketë një të humbur. Mes Partizanit dhe Kukësit janë 90 minuta që mund të thonë shumë, ashtu siç mund të vendosin shumë në të ardhmen. Kampionati sapo ka nisur dhe janë vetëm emocionet e para të një sezoni që premton shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online