Paralajmërimi për largime nga skuadra, Sekretari Ziu: Të respektohet fanela e Tomorit

Skuadra beratase po kalon një situatë të vështirë për mbijetesën në Kategorinë e Parë, dhe kjo ka nisur që në ndeshjen e javës së 17-të me Apoloninë, kur barazoi 1-1 në Berat. Tashmë Tomori është pjesë e zonës Play-out në Grupin B, dhe me 10 pikë renditet në vendin e 3-të, 1 pikë larg nga Elbasani i parafundit. Tashmë objektivat e beratasve kanë ndryshuar, ndërkohë që sekretari i Klubit, Alban Ziu deklaron synimin final.

“Nëse duan që ta respektojnë fanelën e Tomorit dhe të jenë të denjë për të, futbollistët duhet të renditen në vendin e 3-të në Play-out, jashtë rrezikut të vendit të parafundit. Ky është një synim minimal, por aktual për ne, ndaj futbollistët duhet të veprojnë sipas kontratave, ku objektivat i kanë për më lart dhe jo për mbijetesë”, kështu deklaroi për SportEkspres.com sekretari i FK Tomori, Alban Ziu.

Ndërsa për ndeshjen e radhës me Turbinën, Ziu zbardh edhe zërat për largime nga skuadra nëse nuk fitohet. “Nuk do të jetë normale që të diskutohet fitorja me Turbinën. Synimi janë vetëm tri pikët që na shkëputin nga dy vendet e fundit në grup. Ndërsa sa i përket largimeve, në radhë të parë ne mendojmë të mbyllim sezonin në vazhdim, më pas do mendojmë për vazhdimësinë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *