Paradoksi/ “Një përbindësh i veshur si kloun”! Suarez, Felix dhe Diego Costa për…0 gjuajtje në portë

Nga Klaudio Ndreca

Diego Simeone është një trajner që vlerësohet në maksimum dhe merr vëmendjen kryesore vetëm kur Atletiko Madridi përballet në “Champions League” dhe ndaj skuadrave më të mira në Europë. Kjo pasi është vërtet e vështirë që t’i shënosh skuadrës spanjolle që mbron me 11 futbollistë zonën e saj, madje në disa raste edhe me 12 pasi Diego Simeone i ka prishur aksionet kundërshtarëve duke futur topin nga pankina në fushën e lojës.

Në këtë sezon të ri dukej se Atletiko do të ishte një “përbindësh” që do të konkurronte denjësisht me Barcelonën dhe Realin e Madridit. Afrimi i Suarezit u festua me 6 gola në fitoren ndaj Granadas, që kishte një formë fantastike deri në atë moment. Felix dhe Diego Costa kanë të gjitha aftësitë për t’i bërë dëm kundërshtarëve, ndërsa përflitet edhe afrimi i Cavanit.

Por në dy takimet e fundit Atletiko e Madridit ka barazuar pa gola. Madje në ndeshjen e sotme që ka zhvilluar në shtëpi ka një tregues që shqetëson më tepër. Ekipi i Simeones nuk ka bërë asnjë goditje të vetme të regjistruar në kuadrat sipas asaj që raporton “OptaJose”, faqe e cila merret me regjistrimin e statistikave. Kjo është hera e katërt që Atletiko ruan një statistikë të tillë negative dhe për herë të parë që ndodh në “Wanda Metropolitano”. Pika më e fortë të jetë më e dobëta, paradoksi po i ndodh Atletikos në takimet e fundit dhe pakënaqësia po rritet për mënyrën e lojës që praktikon Simeone. Sigurisht, deri në momentin që do të afrohen përballjet e mëdha që “El Cholo’ i kuron në mënyrën e tij për të mbushur me gëzim tifozët. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *