Disa klube shqiptare pritet t’i rrisin edhe më shumë të ardhurat e tyre në sezonin pasardhës, teksa blerjet që kanë bërë ua ofrojnë këtë mundësi në mënyrë të tërthortë. Uefa prej kohësh ka marrë vendimin që çdo klub merr 6 mijë euro për çdo grumbullim në ndeshje zyrtare të lojtarëve që kanë të federuar dhe sidomos dy klube me blerjet që kanë bërë këtë verë do ta përfitojnë një gjë të tillë nëse lojtarët grumbullohen për 4 ndeshjet e mbetura të elimiantoreve për Rusi 2018. Flamurtari këtë sezon ka afruar portierin e Kosovës Nurkoviç dhe mbrojtësin e Maqedonisë Siljanovski. Të dy këta futbollistë janë pjesë e grumbullimeve të përfaqësuesve të tyre dhe në rast se thirren për 4 ndeshjet e mbetura atëherë klubi do përfitojë në total 48 mijë euro, një shifër e kënaqshme për realitetin financiar sezonal të futbollit shqiptar. Kukësi gjithashtu do përfitojë të ardhura nga Aliev. Ky i fundit pritet të grumbullohet nga përfaqësuesja e Azerbaxhanit në 4 sfidat e mbetura duke i dhuruar klubit 24 mijë euro në total. Gjithashtu dhe dëmtimet nëse pësohen gjatë grumbullimeve të përfaqësues rimbursohen nga kompanitë e sigurimit të UEFA-s. Skënderbeu e përfiton prej kohësh një bonus të tillë teksa Shehi, Latifi e herë pas here Lilaj kanë qenë pjesë e përfaqësueses. Partizani e përfiton këtë kuotë nga Hoxha dhe shpreson që në të ardhmen Çani të rikthehet kuqezi, ndërkohë që tek tuk ndonjë klub tjetër përfiton nëse lojtarët marrin një thirrje nga Kombëtarja. Të blesh lojtarë të rëndësishëm të Kombëtareve të tjera mund të jetë shpenzim i madh, por gjithashtu një rimbursim i kënaqshëm financiar.