Stërvitja e fundit në resortin “Tropikal” gjatë paradites së të shtunës dhe më pas udhëtimi drejt Izraelit. Kombëtarja i mbylli përgatitjet për duelin në Ligën e Kombeve në Shqipëri, megjithatë, ashtu siç e ka traditë, trajneri Kristian Panuçi do të zhvillojë edhe një seancë shkrydhëse përpara ndeshjes.
Këtë paradite, kuqezinjtë pritet të zbresin për afro 30 minuta në fushë, për një stërvitje të lehtë dhe që më tepër shërben për të mbajtur të gjithë lojtarët në formë. Më pas, stafi i Kombëtares ka planifikuar një shëtitje në qytetin bregdetar të Ashkeonit, aty ku Kombëtarja është akomoduar.
Pas mbërritjes në Izrael, skuadra ka qëndruar gjatë gjithë kohës në hotel dhe të vetmit që u larguan nga vendi ku kuqezinjtë janë grumbulluar ishin trajneri Panuçi dhe kapiteni Mavraj, të cilët zhvilluan konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes. Ashkeoni është një qytet rreth 60 kilometër larg Ber Shevas, aty ku, këtë të diel në orën 20:45 do të luhet ndeshja.