Për të ardhur keq, kur sheh dy prej skuadrave më të mira në Shqipëri që durojnë një ndeshje të shkëlqyer, por në një stadium të boshatisur. Flamurtarit i është dënuar fusha, për sjelljen e grupimit ultras të tifozerisë, por në të vërtetë ndëshkoi mijëra vlonjatë që do të ishin në stadium, sepse ata më fanatikët ishin në pallatet përreth dhe sharjet, ofendimet e parullat ishin sërish të pranishme. Po tani, kë do të dënojë Federata, rojën e pallatit që i la të ngjiteshin në tarracë?
Në fushë ishte një ndeshje fantastike, edhe pse nuk pati fitues. Kukësi konfirmoi se është ende skuadra e frikshme e sezonit të shkuar, duke marrë një barazim 1-1, por edhe Flamurtari bindi sërish të gjithë se është skuadër e aftë të shkojë pa probleme në Europë, nëse vazhdon kështu. Për të kapur Skënderbeun duhet diçka më shumë, por asnjëra palë nuk e ka ende.
Kukësi shënoi në pjesën e parë me Elis Bakajn, futboll klasi, me një inteligjencë në fushë që prish ekuilibrat kur ndeshja është në balancë të plotë.
Kukësi pati me Etemin në pjesën e dytë rastin për të mbyllur gjithçka, por Nurkoviç evitoi golin. Megjithatë, 45 minutat e dyta ishin të Flamurtarit, sidomos pas barazimit të Bushiç, në minutën e 73-të. Kapiteni kthehet të shënojë dhe i ka dhënë një pikë Flamurtarit, por mund të ishin 3 të tilla, nëse në shtesë anësori nuk do të anulonte një gol për Flamurtarin. Pamjet filmike tregojnë që pas një krosi nga Zhufo, Musta është në pozicion jashtë loje aktiv, por me siguri do të ketë sërish polemika, pasi mbetet i hapur debati nëse Musta ndikoi në aksion, pasi nuk e preku topin dhe nuk e pengoi shikimin e portierit mik.
Kategoria Superiore, Java 9, e diel, më 5 nëntor, ora 17:00
Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë
Flamurtari – Kukësi 1-1
Shënues: Bakaj 37’/ Bushiç 73′
Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Jakovljeviç, Mersini (Zhufo 46′), Musta, Useini, Pollozhani, Hoxhaj (Kamara 65′), Alvesh (Hyseni 85′), Bushiç. Trajner: Shpëtim Duro. Të gatshëm: Sali, Liçaj, Toungara.
Kukësi: Koliçi, Idrizi, Hoxha, Alla, Rrumbullaku, Ethemi (Zeqiri 72′), Imami (Musolli 54′), Kërkotiç, Kale (Alijev 83′), Bakaj, Guri. Trajner: Mlladen Milinkoviç. Të gatshëm: Frashëri, Memini, Shtubina, Peposhi.
Kartonë të verdhë: Bushiç 11′, Pollozhani 21′, Bicaj 36′, Zhufo 70’/ Bakaj 36′, Ethemi 51′, Hoxha 54′, Idrizi 60′, Alla 79′
Gjyqtarë: E. Hamiti, R. Çokaj, P. Simoni, E. Halo.