Kristian Panuçi ka lënë tokën shqiptare dhe tani do të jetë në pritje të një tjetër oferte. Karriera si trajner deri më tani nuk i ka shkuar mirë, ndërkohë që ka folur edhe për vendimin e shkarkimit të tij. Falënderime për kreun e FSHF-së, Armand Dukën, në veçanti, sikurse edhe për të gjithë shqiptarët.
“Ishte një vendim i presidentit dhe unë e pranoj. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe falënderoj të gjithë Shqipërinë. Punova në qetësi të plotë falë presidentit Duka, por në fund rezultatet nuk ishin të mira dhe presidenti vendosi që të më largojë. Ishte diçka shumë e rëndësishme që të isha trajner i një kombëtareje, për këtë arsye i detyrohem të gjithëve një faleminderit”, ka deklaruar nga aeroporti i Rinasit Kristian Panuçi për “Top Channel”.
Italiani merr përsipër përgjegjësitë dhe tregon se ka pasur një takim me lojtarët dhe është përshëndetur me ta: “Ka gjithmonë një fajtor dhe në këtë rast unë jam përgjegjës. Njerëzit kur humbet Shqipëria vuajnë, në fakt vuaj edhe unë. Gjithsesi kam shumë respekt për të gjithë shqiptarët”.
“I kam falënderuar sot në mëngjes të gjithë lojtarët për gjithçka që më kanë dhënë deri në momentin e fundit. Uroj që të bëjnë gjëra të mira do të jenë gjithmonë në zemrën time. Shpresoj që ky të jetë një vendim i drejtë, por vetëm koha do ta tregojë”, përfundoi Kristian Panuçi, i cili drejtoi Shqipërinë në 15 ndeshje.