Panuçi ka vetëm një peng: Më ka mbetur mendja tek ndeshja me Italinë

0

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një ceremoni për festat e fundvitit dhe të ftuar janë edhe Kristian Panuçi e shumë personalitete të tjera.

I intervistuar nga Top Channel, trajneri i përfaqësueses kuqezi bën një bilanc të aventurës së tij shqiptare dhe tregon pengjet: “Mund të them që një nga pengjet e vitit që sapo u mbyll është një pikë që duhet të merrnim me Italinë dhe të them të vërtetën na mungon ajo në llogaritë përfundimtare. Për pjesën tjetër, dua të vazhdoj të theksoj që kemi bërë gjithmonë ndeshje shumë të mira, më ka mbetur mendja tek ndeshja me Italinë, por nuk na mbetet gjë tjetër tani, duhet të shohim përpara në të ardhmen. Viti i ri që po vjen do të fillojë menjëherë me përgatitjet për skuadrën. Nga muaji janar do t’i rikthehem udhëtimeve për të gjetur futbollistë të rinj që t’i kthehemi punës seriozisht”.

Tashmë Panuçi mendon për të ardhmen dhe freskimin e kombëtares, sepse ka premtuar se do të ketë të paktën 3-4 lojtarë të tjerë të rinj: “Në këto 6 muaj që punoj me Shqipërinë kam arritur të ambientohem shumë mirë. Jam i bindur që do të kemi mundësi të bëjmë një skuadër shumë të mirë dhe në këtë mënyrë do të provojmë të shkojmë në finalet e Europianit e ardhshëm. Këto janë 6 muajt e parë që unë kam qenë këtu dhe mund të them që janë shumë të kënaqshëm sepse ndihem shumë mirë në detyrën e re në krye të kombëtares shqiptare. Dua të mbyll këtë vit me një urim për të gjithë tifozët shqiptarë. Gëzuar festat e fundvitit dhe i premtoj që do të punoj akoma më shumë në vitin e ardhshëm 2018, që të kemi mundësinë t’i dhurojmë emocione të mira me rezultatet tona”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.