Panuçi: Ju tregoj futbollin tim, më e lehtë të drejtosh Realin se… Shqipërinë!

Kristian Panuçi, trajneri i kombëtares shqiptare, ka folur për “Goal.com”, duke shpalosur idenë e tij të futbollit. Një mbrojtje e fortë dhe rinisja me anë të kundërsulmeve.

Italiani komenton paraqitjen jo të mirë në Ligën e Kombeve, ndërsa “ankohet” vetëm për një gjë. Nuk është e mundur për të punuar çdo ditë me djemtë e ekipit dhe një gjë e tillë vështirëson aplikimin e idesë së tij të lojës.

Panuçi ndihet i lumtur me Shqipërinë, tregon dëshirën e tij dhe vendin e preferuar dhe e mbyll me një batutë lidhur me Realin e Madridit, Shqipërinë dhe Romën.

SHQIPËRIA – “Nuk bëmë mirë në Ligën e Kombeve, por arritëm të qëndronim në Ligën C. Duhet të bënim shumë më mirë, por dhe në Shqipëri duhet të trajnohemi dhe përgatitemi më mirë. Unë jam trajner prej 6 vitesh dhe kam dëgjuar shumë pak kolegë, të cilët e pranojnë kur gabojnë. Unë them kështu: ‘Besoj se jam fajtor për një ide loje që mundohem të fus në ekip, por nuk i trajnoj çdo ditë lojtarët, thjeshtë çdo 2-3 muaj’. Mendoj se është më mirë të mbrosh në fillim dhe pastaj të kundërsulmosh. Kur nuk punon çdo ditë me lojtarët, bëhet e vështirë aplikimi i idesë që ke.”

STILI I LOJËS – “Kjo gjë varet nga lojtarët që kam në dispozicion dhe cilësia e tyre, por unë përpiqem t’i vendos ata në pozicionet e duhura. Skema e lojës mund të ndryshojë, por kjo varet nga kundërshtari. Për shembull, Spanja ka një ide fikse loje. Edhe fëmijët mësohen me atë ide dhe stil loje që kur janë të vegjël. Shqipëria duhet të mbrojë mirë dhe të riniset me kundërsulme. Kalimi te një klub? Jo, jam shumë i lumtur te Shqipëria, por sigurisht që nuk do e mbyll karrierën aty. Pas Shqipërisë, do të doja të rikthehesha në Spanjë dhe më pëlqen të jetoj e punoj në Spanjë. Kur një trajner i bën gjërat mirë, kjo është e mirë për të gjithë. Por, është më e lehtë të drejtosh Realin e Madridit, sesa Shqipërinë ose Romën.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *