Kristian Panuçi ka folur sot në një konferencë për shtyp ku ka analizuar paraqitjen e kombëtares shqiptare në dy ndeshjet e fundit, ka bërë një përmbledhje të sezonit që lamë pas dhe ka prezantuar planet e së ardhmes. Loja që ka në mendje, afrimet e reja, marrëdhënia me lojtarë si Xhaka, që ka befasuar për mirë, italiani ka prekur shumë tema.
Paraqitjet e fundit – “Jam i kënaqur nga paraqitja në këto dy ndeshje, nuk luajtëm keq, duke nisur nga pjesa e dyta ndaj Spanjës. Kundër Italisë e nisëm jo mirë, por më pas ishim të barabartë dhe krijuam edhe raste për shënim. Kemi pasur pak kohë, por po ecim përpara.
Ideja e lojës? “Italia luajti me 4-2-4 dhe nuk dominoi. Ne kemi respekt ndaj Spanjës dhe Italisë, por kishim edhe shumë mungesa e duhej të ruaja lojtarë. Në miqësoret e nëntorit do të provojmë të luajmë me dy sulmues”.
Rritja e skuadrës – ” Kam ndjesinë se sa herë hedhim një hap përpara me kohën e duhur, ne e rikuperojmë gjithmonë topin. Kam sigurinë se skuadra mund ta kapë në befasi kundërshtarin, por edhe të mbrojë. Kjo skuadër mund të dalë nga zona e sigurisë dhe të shohë se çfarë ka përpara. Kjo është një siguri për mua. Ndaj Italisë u kapëm në kundërsulme, por lojtarët ishin prezentë në lojën një kundër një. Kjo skuadër duhet të ketë më tepër kurajo. Ne, e them sepse ndihem shqiptar tanimë, duhet të dalim nga mbrojtja. E kemi cilësinë për ta bërë këtë, por duke njohur edhe ato që janë difektet tona.
Shqetësimi i Panuçit – “Më shqetëson vetëm fakti që shumë lojtarë luajnë në Zvicër, Greqi apo Rusi. Intensiteti i stërvitjeve, i kampionateve atje është shumë i ulët. Vetëm këtë problem kam. Kur ata vijnë, nëse unë rris ritmin, ata lodhen. Do të doja të punoja tre muaj me ekipin që ti bëj të ndjejnë muskujt që dridhen. Me Italinë në minutën e 65-të lojtarët u lodhën. Por, fatkeqësisht unë punoj një javë ose dhjetë ditë me ekipin dhe më pas nuk i takoj lojtarët për një muaj. Megjithatë dua t’i falënderoj lojtarët, sepse dhanë gjithçka. Ndoshta dikush u mërzit se i bëra të vraponin shumë, por të gjithë treguan profesionalitet të madh. Jam i bindur se na pret një e ardhme e ndritur”.
Objektivat e ardhshëm – “Tani do të udhëtoj për të provuar të gjej ndonjë lojtar të ri, sepse diçka duhet detyrimisht ta ndryshojmë. Cikalleshi, Kukeli, Kaçe apo Xhaka, u sollën shumë mirë në grumbullim, si profesionistë të vërtetë. Pavarësisht faktit që Taulanti nuk u grumbullua në fillim dhe asaj që ndodhi, ai ishin korrekte dhe janë lojtarë të rëndësishëm. Përpara se ta gjykosh profesionistin, më parë duhet ta njohësh atë”.
Në horizont edhe Nations League – “Jemi në fillim të një rrugëtimi. Por, duhet të krijojmë një ide dhe një bindje. Ekipi ishte i ngadaltë me raste, por të gjithë kishin ndjesinë që Kombëtarja mund të shënonte gol. Është njësoj sikur përballesh me Mejuedhër, Pakiao apo Tajson, nuk do të kemi rastin të përballemi gjithmonë me Spanjën. Përballë ekipeve si Norvegjia apo Zvicra, me ndeshje si këto të fundit edhe mund të kishim fituar. Unë do të punoj vetëm për rrugën që të luajmë futboll, kjo skuadër i ka mundësitë. Nuk do të luajmë 3-5-2 apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do ti luajmë ndeshjet tona me kurajo, sepse nëse Maqedonia barazoi në Itali, ne ishim pranë fitores në Maqedoni. Do të shoh U19 dhe më pas U21 në Elbasan. Do të vëzhgoj dy-tre lojtarë që më pas do ti testojmë në ndeshjet miqësore për të vlerësuar nivelin e tyre. Po ndjek Lilajn, do të udhëtoj në Nëntor për ndeshjen me Jang Bojs. Dikush tjetër do e vëzhgojë në kampionat. Kemi një vit kohë për të ndjekur të gjithë lojtarët dhe për tu përgatitur. Janë 4-5 lojtarë edhe nëpër Europë, Gjermani, Austri, Sllovaki e Greqi, madje edhe në liga të dyta”.
Loja sulmuese – “Hapim përpara e bëm në Spanjë, duke rrezikuar 14 herë, ndërsa këtu vetëm një herë me Roshin dhe parkuam autobusin. Mua më pëlqen ta provoj dhe jam i bindur që me mënyrën sulmuese të lojës pikët do të vijnë. Një tjetër e dhënë, e di sa herë gjuajti Italia në Spanjë, 7 herë, ndërsa Shqipëria 14. Ekipet e tjera e mbajtën topin 20-22 për qind, ndërsa ne 40 për qind. Me vjen keq që nuk fituam, me Italinë mund të kishim marrë diçka më tepër. Lojtarët më duken të bindur për atë që po bëjmë dhe mua më pëlqen të luaj futboll. Skuadra di ta luajë futbollin që unë kërkoj. Nuk duhet të heqim dorë nga cilësia për sasinë, absolutisht jo. Unë nuk jam ai lloj lojtari. Përpiqem të kuptoj ekipin dhe ti jap lojën më të mirë të mundshme. Topin preferoj ta mbajmë ne dhe jo kundërshtarët, sepse kështu vrapojmë më tepër. Duhet të mbajmë topin dhe të sulmojmë, pa rrezikuar. Ky është ekuilibri që kërkoj. Në dy ndeshjet e fundit ekipi e krijoi idenë e asaj që ne duam të transmetojmë. Duhet të dalim të gjithë nga guacka, sepse këtu njerëzit kanë dëshirë të jetojnë dhe këtë kërkoj nga skuadra. Kurajo dhe ta provojmë, kjo është moto ime. Me Italinë e kishim ndjesinë se mund të shënonim. Duhej të ishim më konkretë në finalizim, ndërsa kundërshtarët na ndëshkuan në mundësinë e parë. Nuk jemi shumë të shpejtë në mesfushë dhe ndonjëherë vuajmë aty, por skuadra dhe djemtë më thonë që duan ta provojnë të luajnë në sulm. Jam trajner italian dhe mund të luaj lehtë në mbrojtje, por kur luajmë si të barabartë me Italinë, ky është një sinjal që mund të bëjmë më tepër”.
Ventura tha se pas minutës së 60-të mund të shënonin 3-4 gola – “Secili e sheh futbollin në mënyrën e tij. Ata mund të shënonin tre gola, por edhe ne mund të shënonim tre. Ky është tregues që skuadra provoi me kurajë të merrte rezultat. Përpara se të pësonim gol po mendoja të hidhja në lojë një sulmues tjetër. Ishim pa objektiva dhe preferoja ta provoja edhe nëse humbisja, sepse nuk kam frikë nga kritikat. Kur të kem Xhakën, Abrashin, Balajn, Cikalleshin, Ndojin dhe ndonjë lojtar të ri mund të nisim të bëjmë diçka interesante.
Albian Ajeti – “Ajeti nuk do të vijë, më jep ndjesinë që po pret Zvicrën. Gjithsesi unë do shkoj ta takoj për të kuptuar se çfarë ka ndërmend të bëjë. Megjithatë, në sulm kemi mjaft alternativa dhe lojtarë që mund të paraqiten mirë. edhe në mesfushë jemi mirë, por duhet të gjejmë lojtarë në mbrojtje. Agolli është 35 vjeç dhe në Europian do të jetë 37. Tani është shumë mirë, është profesionist por duhet të gjykojmë formën në perspektivën e Europianit. Na duhet të gjejmë një apo dy lojtarë, sulmues kemi, është Manaj te Granada. Ai e ka kualitetin, por duhet të vlerësoj çfarë planesh ka.
Xhaka – “Kam dëgjuar shumë gjëra për Xhakën, që do të ishte i vështirë, por ai është një profesionist i vërtetë. U mbyllëm në dhomë, folëm ballë për ballë dhe jam i bindur që nuk më tradhëton. Xhaka ishte një profesionist i vërtetë dhe do të më pëlqente ta kisha me Italinë. Edhe Manajn duhet ta njoh në këtë këndvështrim”.