Trajneri austriak i Kukësit, Peter Pakult, njihet për sensin e tij të humorit dhe i pyetur sa i përket zëvendësuesit të Gurit është shprehur se ai po punon që t’i zërë vendin. 58-vjeçari nuk preferon që të flasë me emra konkret sa i përket merkatos, por tregon se e ka bërë listën e tij me emrat që preferon të afrojë në skuadër për edicionin e ardhshëm.
Mund të themi se motivimi në skuadër ka rënë dhe po luani vetëm për të nxjerrë Gurin shënuesin më të mirë të kampionatit?
Jo, unë kam mendim tjetër, nuk e shoh në këtë mënyrë. Normalisht që të mërkurën duhej t’i bënim gjërat më ndryshe, pasi mund të kishim mbyllur gjithçka. Në këtë situatë kemi një avantazh të madh sa i përket pikëve, por nuk lejoj që lojtarët e mi të ulin ritmin. Në stërvitje kërkoj të vazhdojnë siç kanë bërë në fillim me të njëjtin intensitet, me të njëjtin ritëm. Derisa matematikisht nuk kemi siguruar asgjë, do e mbaj skuadrën në nivelin që unë kërkoj. Çdo gjë ngelet pas shpine derisa të arrijmë matematikisht objektivat. Interesat e klubit nuk kanë të bëjnë me qëllimet e ndonjë lojtari në mënyrë individuale. Mendoj se në momentin që skuadra do e ulte ritmin dhe do mendonte se gjithçka ka mbaruar do e ndëshkonte vetë veten, pasi e dimë se nuk ka mbaruar asgjë. Për këtë gjë unë jam i kujdesshëm në stërvitje, që të kemi intensitetin dhe përqendrimin maksimal.
Keni dy humbje dhe një fitore ndaj Luftëtarit, por do kënaqeshit dhe me një barazim, pasi do realizonit objektivat matematikisht?
Kundërshtari ka kualitet, por ne do të tentojmë që këtë ndeshje duhet të jemi të përqendruar. Synojmë që të marrim tre pikët, megjithatë për të arritur këtë gjë duhet të jemi të përqendruar që nga fillimi i ndeshjes dhe t’i bëjmë gjërat siç duhet t’i bëjmë.
Keni evidentuar ato pozicione ku do bëni ndërhyrje në merkato?
Më janë bërë shumë pyetje sa i përket të ardhmes, por unë mendoj për momentin ku jemi, ku nuk kemi siguruar ende asgjë. Kur të sigurojmë vendin e dytë matematikisht dhe më pas do të mendojmë për gjërat e tjera.
E ka Kukësi si objektiv brenda skuadrës që ta ndihmojë Gurin që të dalë shënuesi më i mirë i Superiores?
Interesi i klubit është që të sigurojë vendin e dytë. Gjërat e tjera, janë gjëra të cilat do të vijnë vetvetiu. Qëllimi ynë është që ta mbyllim me vendin e dytë dhe më pas do të shohim se si do të vijnë gjërat. Ekipi ka bërë punë të mirë, pasi në çdo moment e ka ndihmuar Gurin që të shënojë. Që nga janari ai ka bërë një sezon fantastik. Do të isha shumë i lumtur nëse Guri do e arrinte qëllimin e tij, pasi ka bërë një sezon mjaft të mirë. Ekipi ka treguar se luan për njëri-tjetrin.
Keni ndonjë emër se kush mund të jetë pasuesi i Gurit?
Gurin e zëvendëson Guri. Po stërvitem unë që ta zëvendësoj Gurin.
Sa i përket formatit me 10 skuadra, çfarë mendimi keni?
Një kampionat me 10 skuadra në Shqipëri është optimal. Nga ky vit në Austri do të bëhet me 12 ekipe. Nuk mendoj se kemi shumë ndryshime mes Shqipërisë dhe Austrisë. Nuk kam shumë informacion për skuadrat e Kategorisë së Parë sa i përket anës financiare dhe a janë në gjendje që ta përballojnë Superioren.