Pak “kripë” në Izrael, kështu Sadiku na riktheu… shijen!

 

Bomberi kuqezi gjen “çelsin” e makinës së kohës, duke rindezur EuroShqipërinë, motorri i të cilës u fik disi pas Francë 2016. Në tokën e shenjtë, bekimi erdhi Armando “bum bum”… Më pas, “darka u shërbye” me stil

Anton Cicani

Pak kripë nuk bën asnjëherë keq… Sidomos kur dëshiron që të shijosh gjellën që sapo ke gatuar. Dhe, nëse atë e gatuan në një tokë të shenjtë, aty ku për gati një shekull është luftuar dhe vazhdon të ketë ende konflikte gjeo-politike, atëherë është akoma edhe më e mirë. Do të duhej një makinë kohe për t’u kthyer mbrapa, pikërisht te Euro 2016, në Francë, por edhe më përpara, në fitoren 0-3 në Armeni, historike për popullin tonë… Në të gjitha këto tre momente, duke prekur edhe atë të mbrëmshmin, shfaqet ai, Armando Diego Maradona… Më falni, Armando Sadiku.

Ndoshta i ati, kur i vendosi emrin, e dinte se i biri do të shënonte gola që do të dhuronin gëzim. Dhe ai gëzim erdhi në një moment tepër të vështirë. E dinte edhe De Biazi, që i dha titullaritetin në një sfidë delikate. Armando ishte mëse gati për të udhëhequr ekipin. Mjaftuan 20 sekonda për ta kuptuar atë. Në ndjekje të topit dhe kundërshtarit, me një dëshirë të jashtëzakonshme për të luftuar si në një betejë të vërtetë. Dygolëshi i tij, që mund të ishte tri, sigurisht, ka vlerën e 3 pikëve, por edhe të rilindjes që prisnim. Sadiku ka gjetur “çelsat” e makinës së kohës dhe na dhuroi atë shije që kishim harruar, atë të Shqipërisë së vogël, por me zemër të madhe. Dy rrjeta identike, me goditje nga jashtë zone dhe trajektore të pakapshme nga portieri izraelit.

Personazhi turk –  Por, cilin imitoi Armando Sadiku pas dy golave të realizuar? Personazhi në fjalë quhet Nusret Gëkçe, gjithashtu i njohur si Salt Bae (ka lindur në vitin 1983) dhe është kuzhinier turk dhe pronar i restorantit Nusr-Et (Stamboll, Ankara dhe Dubai). Stili i tij i gatimit dhe prerjes së mishit u bë i njohur në internet, por sidomos mënyra se si ai i hedh kripën sipër… Gëkçe u bë i njohur në internet gjatë janarit 2017 për mënyrën e tij se si e pret mishin. Kur u pyet se cilën mish e preferon, ai u përgjigj duke bërë shaka se  është vegjetarian.

Ai u bë i famshëm prej një videoje me emrin “Ottoman Steak”, e cila u postua më 7 janar 2017 në llogarinë e restorantit të tij në Tëitter. Ishte parë 10 milionë herë në Instagram, pasi u quajt si “Salt Bae” për shkak hedhjes ironike të kripës… Pikërisht këtë kuzhinier të famshëm imiton edhe Armando Sadiku pasi realizon golat e tij – te Lugano e bëri këtë vit – duke treguar se për të qenë një kuzhinier i zoti, duhet të gatuash edhe gola, sepse profesioni i tij është ky, edhe pse nga tavolina gjithmonë çohet ndër të fundit.

9 Gola

ka shënuar Armando Sadiku me Shqipërinë dhe të gjitha shumë të rëndësishme. Sadiku ka luajtur 27 ndeshje me komnbëtaren e Shqipërisë dhe ka një mesatare prej 1 goli pak çdo tri ndeshje

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *