Elbasani është katandisur keq dhe tashmë është në kategorinë e tretë të futbollit shqiptar, që quhet me emrin Kategoria e Dytë zyrtarisht. Ndonëse ka një ndër stadiumet më modernë në Shqipëri, Elbasani tashmë i luan ndeshjet në fusha stërvitore dhe për fat që nuk ka mijëra tifozë si një herë e një kohë, se nuk kishte polici ta merrte përsipër zhvillimin e ndeshjeve.
Sot Elbasani luante një ndeshje delikate kundër Orikumit kryesues të drejtuar nga Artan Sakaj dhe mori një fitore të artë 2-0, duke rimarrë kreun e renditjes, kundër rivalit më serioz në grupin e vet.
Në fakt, ishte një ndeshje plot polemika, në një fushë të rënduar nga shirat.
Në fundin e pjesës së parë u akordua një penallti në favor të Elbasanit, që krijoi shumë debate, me Orikumin që protestoi gjatë, duke kundërshtuar vendimin e arbitrit, që gjithsesi nuk ndryshoi vendim. Portieri 38-vjeçar Elvis Kotorri shkoi te pika e bardhë dhe shënoi qetësisht, ndërsa në fundin e takimit sulmuesi Ergys Toçka siguroi 3 pikët.