Osmani dhe Ibraimi: Mund t’ja dalim!

Shkëndija ka një mision mjaft të vështirë nesër në mbrëmje ndaj Rosenborgut, ku do të kërkojë kualifikimin. Tetovarëve u duhet një fitore 2-0 në Maqedoni për të kaluar në raundin tjetër. Pjesa e dytë e zhvilluar në Norvegji jep besim se kuqezinjtë mund të bëjnë hapin e madh me ndihmën e tifozëve në stadiumin “Filipi II”.
Në konferencën e zakonshme prag ndeshje, trajneri Qatip Osmani është shfaqur pranë sulmuesit Besart Ibraimi. Që të dy janë shfaqur besimplotë se mund të arrijnë suksesin nesër dhe të arrijnë atë çka ata e kanë synuar prej kohësh.

Trajneri Osmani tregon se skuadra e tij e ka kapacitetin për të arritur fazën e grupeve, pasi loja e zhvilluar është treguesi më i qartë i forcës që të besuarit e tij kanë.

“Ne si stafi teknik bashkë me lojtarët, sigurisht se jemi të bindur se rezultati negativ ndaj Rosenborgut mund të përmbyset. Shkëndija ka forcë për ta kaluar Rosenborgun dhe për të kualifikuar në grupet e Liga Evropës.

Ne edhe në ndeshjen e parë luajtëm hapur edhe pse u ndëshkuam tre gola, por krijuam shumë raste. Shkëndija tregoi edhe kundër Rosenborgut që luan futboll ofensiv dhe nesër do të mundohemi të bëjmë lojën e njëjtë”.

Ibraimi në anën tjetër tregon për entuziazmin që ka në skuadër. Sulmuesi tregon se të gjithë në skuadër janë gati për të shkruar historinë.

“Dua të theksoj se ne jemi për herë të tretë radhazi në këtë fazë të play-off në Europa League. Unë e kam dhënë çdo herë më të mirë dhe nesër gjithashtu do të jap më të mirën, por më e rëndësishmja është që ekipi të kualifikohet në grupet e Liga Evropës dhe ta shkruajë historinë.

Atmosfera është e shkëlqyeshme në ekip. Kjo është histori, pasi asnjëherë më parë ndonjë ekip nga Maqedonia tre herë radhazi nuk ka arritur në play-off të Europa League-s. Dhe ne do të mundohemi të bëjmë një histori tjetër që të kualifikohemi në grupe të Liga Evropa”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *