Teutës do t’i mungojë në ndeshjen me Luftëtarin vetëm Hakaj, ndërkohë që objektivi është i qartë: të niset kampionati me fitore
Teuta është gati për nisjen e sezonit të ri, me një skuadër të ndërtuar thuajse nga fillimi dhe me një “Niko Dovana” që ka marrë një pamje tjetër pas investimeve të bëra gjatë kësaj vere në të. Të gjithë janë optimistë dhe kërkojnë ta nisin kampionatin me fitore, ndërkohë që për trajnerin Gugash Magani grupi i futbollistëve do të jetë thuajse i plotë, pasi mungesa e vetme është ajo e mbrojtësin Esin Hakaj, i cili prej kohësh nuk stërvitet me skuadrën për shkak të problemeve me muskujt e barkut. Trajneri Magani ka punuar me skuadrën jo vetëm në aspektin taktit, por edhe nga ana psikologjike, pasi përballje me Luftëtarin nuk konsiderohet aspak e lehtë dhe në Durrës e dinë mirë se kundërshtari duhet vlerësuar maksimalisht, pasi vjet ia dolën t’i mposhtin me rezultatin minimal 0-1 në “Niko Dovana” me gol të Eduart Rrocës.
FORMACIONI – Trajneri Magani gjatë kësaj jave ka pasur një shqetësim, pasi sulmuesi Onieka Osemene, i huazuar nga Braga, ishte në dyshim për përballjen me Luftëtarin, por seanca e fundit stërvitore ka sjellë një lajm të mirë dhe nigeriani do të jetë titullarë. Nga skuadra e sezonit të shkuar do të luajnë nga minuta e parë do të luajnë pesë futbollistë. Porta i besohet Shpëtim Moçkës, ndërkohë që para tij luajnë dyshja Sykaj-Hrkaç. Në krahun e djathtë do të aktivizohet nigeriani Oluasina, ndërsa “xholi” Fabjo Beqja ka kaluar në të majtë. Mesfusha ka ndryshuar tërësisht. Hilës nga vjet i janë bashkëngjitur dy të rikthyerit, Albi Dosti dhe Nijas Lena, të cilët kanë treguar formë të mirë gjatë përgatitjeve. Çyrbja nuk e lëshon krahun e djathtë, ndërkohë që këtë sezon pritet shumë nga Anel Dediç dhe sulmuesi Onieka Osemene, që mahniti tifozët në trofeun “Pascucci” me dy gola të shënuar ndaj Trepça ’89.