Pak orë na ndajnë mbyllja e merkatos verore në disa kampionate të rëndësishme të Europës, atje ku listën e kryeson Seria A. Me vëmendje të madhe sa i përket gjendjes së legjionarëve kuqezi, pritet situata e Armando Sadikut.
Ky i fundit është tërësisht jashtë planeve të Levantes, ndërsa largimi është zgjidhja e vetme. I vetmi futbollist që nuk u aktivizua asnjë minutë në miqësoret e zhvilluara parasezonit, nuk është ftuar asnjëherë për tre takimet e “La Ligas” deri tani, ndërsa vetë trajneri Paco Lopez i vë kapakun: “Nuk do ta kemi shumë problem nëse largohet”.
Kjo tregon se vlerësimi për sulmuesin e Kombëtares nuk ekziston te Levante. Sipas mediave spanjolle, një propozim ka në tryezë për spanjollët edhe sa i përket Armando Sadikut. Megjithëse ende asgjë nuk bëhet e ditur, pasi nuk mund të qartësohet. Por gjatë orëve në vijim mund të kemi zhvillime të reja sa i përket transferimit të Sadikut, që nuk mund të qëndrojë më në “La Liga”. /Sport Ekspres/