E veçantë/ Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e tretë e Kategorisë Superiore

1- E gjithë rroga e Solomon do të shkojë me blerje kartonësh. Dy të kuq në tre ndeshje, sa mirë nëse do të ishin gola!

Partizani arrin të fitojë edhe takimin në javën e tretë të Superiores me rezultatin 1-0, por pa bindur me lojën e tij. Sigurisht, duke parë rrjedhën sesi shkoi 90 minutëshi, duhet të ndihet i bekuar që kishte përballë ekipin me të dobët të momentit në Superiore. Flamurtari është e vetmja skuadër që nuk ka arritur të realizojë qoftë edhe një gol të vetëm në këtë kampionat, sa për statistikë të paktën, pasi pikët as që diskutohen. Solomon arrin të zhbllokojë takimin dhe kur e gjitha vëmendja pozitive përqendrohet pikërisht te ky futbollist, përsëritet e njëjta skenë si ndaj Kukësit. Sulmuesi duhet të braktisë fushën, megjithëse këtë herë nuk bëhet fjalë për një grindje. Flitej vetëm për fillimin e ndeshjes dhe kundër çdo kundërshtari tjetër të mundshëm, Partizani do e kishte të vështirë për të dalë më tre pikë. Për më tepër që Solomon vinte nga një blerje e dënimit për kartonin e kuq që kishte para dy ndeshjesh me Kukësin. Ndërsa në rastin e djeshëm, megjithëse e dinte mirë se një mbrojtës gjendej shumë afër topit, nuk ngurron dhe nuk vë në përdorim instiktin, por zbraz gjithë fuqinë që zotëron te koka e Deliajt. Nëse nuk punohet më shumë me vetkontrollin, atëherë e gjitha rroga personale do t’i shkojë me blerje kartonësh. Dy kartona të kuq në tre ndeshje, sa mirë do të ishte nëse këto do të ishin gola!

2- Teoritë konspirative nisin që në javën e tretë. Ka dinjitet edhe humbja, çfarë po u servirim tifozëve?

Është e rrallë që në Shqipëri dhe në takime që kanë vëmendjen maksimale të tifozëve, të mos ketë kontestime dhe alibi për rezultatin e takimit. Por nisja e teorive konspirative se arbitrat janë duke ndihmuar një skuadër të caktuar dhe duke dëmtuar tjetrën që në javën e tretë, mund të quhen të tepërta, shumë madje. Të stërlodhur nga një kampionat i përfunduar mes shumë polemikash, e njëjta histori nuk mund të përsëritet që në ndeshjet e para në sezonin e ri. Sigurisht që ka pasur edhe disa momente të diskutueshme me gabimet e arbitrave, që kanë vendosur jo pak fatin e takimit. Por kurrsesi nuk ka tendencë të pastër, në një kohë që gara ende nuk ka nisur dhe të gjitha “makinat” janë ende të rreshtuara dhe gati për të marrë kthesën e parë. Nëse kërkohet që të rritet edhe prania e tifozëve në stadiume, fillimisht duhet të jenë vetë aktorët kryesorë të këtij sporti, pra futbollistët dhe trajnerët, që të bëjnë më pak polemika dhe më shumë lojë.

3- Kombëtare e bukur…Kombëtare! Tani erdhi, por Luftëtari dhe Flamurtari çfarë do të bëjnë?

Dy zhgënjimet më të mëdha në tre javët e para të Superiores janë padyshim Luftëtari dhe Flamurtari. Pikërisht janë ato dy ekipet që nuk kanë asnjë pikë në tabelë, ndërsa edhe me lojën e zhvilluar lënë për të dëshiruar. Qartazi revolucioni i madh disa ditë përpara nisjes së kampionatit nuk mund të sillte një pamje tjetër. Këto ekipe nuk e meritojnë për të ndarë vendet e fundit të renditjes, por futbolli i tillë është, gjithmonë vlerësohesh për atë që jep dhe jo për të shkuarën tënde. Në të dyja kampet gjatë humbjeve të marra është thënë i njëjti arsyetim, se ndryshimi do të fillojë nga periudha e pushimit të Kombëtareve, atje ku do të ketë më shumë kohë që lojtarët të njihen me njëri-tjetrin dhe situata do të ndryshojë. Ky momenti erdhi, por të gjithë kanë dyshime: “Çfarë do të bëjnë Flamurtari dhe Luftëtari tani?”.

4- Goli me Hidin! Bylisi nuk kërkon thjeshtësi, ka ardhur për të tërhequr vëmendjen e Superiores

Fitorja e Bylisit ishte surpriza më e madhe e takimeve në javën e tretë të Superiores. T’ia dalësh 0-3 ndaj Skënderbeut në Korçë, këtë do e kenë të vështirë ta bëjnë edhe ekipet pretendente për titull kampion në Superiore. Por skuadra e Bylisit ndodhej në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Arriti të shfrytëzonte në maksimum rrethanat, ndërsa goli që vulosi edhe historinë e kësaj përballje, tregoi se nuk bëhet fjalë për thjeshtësi. Isli Hidi arriti të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë për t’i dhënë edhe më shumë efekte spektakli kësaj ndeshje. Duke parë faktin se bëhet fjalë për një portier të madh në moshë dhe mënyrën sesi Skënderbeu ka fituar në dy takimet e para, vendimi ishte më shumë sesa i guximshëm. Një alarm mbërrin edhe për skuadrat e mesme të Superiores, Bylisi ka ardhur për të fituar vëmendjen dhe në javën e tretë ia arriti qëllimit. Për momentin, është tërësisht jashtë diskutimit për vendet e fundit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online