Opinion/ Vëllai i madh e kupton gabimin e vëllait të vogël! Nga Kosovë-Shqipëri te Marku-Beqiri, Faik Konica kishte të drejtë!

Nga Klaudio Ndreca

Ndeshja vëllazërore mes Kosovës U-21 dhe Shqipërisë U-21 nuk përfundoi në mënyrën e duhur dhe nuk u komentua ashtu siç do të dëshironim. Sigurisht që askush nuk mund të ngrejë diskutime se përse dardanët arritën që të fitonin kur tre pikët e tyre nuk i bënë punë sa kuqezinjve, pasi po flasim për nivele profesioniste dhe do të ishte çmenduri. Por nga krahu tjetër, festa e madhe në përfundimin e takimit me lojtarët që vijnë nga stoli si të ishin arritur grupet e Europianit, për një fitore që nuk vlente asgjë madhore, që nuk i jep asnjë shpresë për kualifikim dhe që e mban ende në vendin e parafundit, ishte për t’u harruar.

Pa cekur këtu komentimin e Andin Lokaj që ka peshë në Kosovë dhe mendimet e tij krijojnë impakt në shoqëri, teksa nis të ngrejë diskutime: “Kur ne në Kosovë luanim futboll, ata në Shqipëri…”. “Ne dhe ata”. Nuk ka rëndësi se çfarë është thënë më pas, ose më saktë nuk kemi arritur ende të kuptojmë, pasi gramatika e përdoruar nga Lokaj ishte e një niveli të ulët. Kjo është gjendja që jemi pas një ndeshje futbolli, që në fund të fundit duhej të ishte vëllazërore, por për të mos qenë hipokrit, lufta brenda llojit është më e ashpra dhe ne shqiptarët e kemi këtë problem, e adhurojmë më shumë se duhet fitoren brenda llojit tonë.

“Armiku më i madh i shqiptarit është vetë shqiptari”, do të shprehej Faik Konica, një nga ata persona që dinte se çfarë thoshte dhe është gjithmonë aktual, pavarësisht se vitet njohin vetëm rritje. Panorama se në çfarë pike do të përfundonim u krijua që në atë humbje të Shqipërisë ndaj Kosovës në kohën e Panuçit. Pakkush e mban mend rezultatin e asaj miqësore, por shumëkush e mban mend spektaklin dhe turpërimin që donte të ofronte Zhegrova apo edhe sakrificën e pakuptimtë të Herolind Shalës, që luajti me krahë të thyer dhe rrezikoi gjithçka nga karriera e tij vetëm për t’i treguar Shqipërisë sesa vlente, pasi e kishte në organikë dhe nuk do të përdorej nga De Biazi.

Le të themi se në momentin kur me të tjerët nuk arrijmë dot rezultate me garimin, kthehemi për të ngushëlluar veten duke kërkuar që të mundim njëri-tjetrin. Po, është e vërtetë se edhe Shqipëria U-21 festoi jo pak për fitoren ndaj Kosovës U-21 në kualifikueset e shkuara. Por kuqezinjtë kanë arsye për t’u justifikuar me faktin se pas atyre pikëve të marra hynë në lojë për kualifikim dhe ishin në garë deri në ndeshjen e fundit kundër Anglisë, edhe ajo ishte për t’u evituar. Po ashtu si skena e ofruar po në atë ndeshje, teksa me dy lojtarë të Shqipërisë U-21 që ishin në tokë, Lirim Kastrati nuk e nxori topin për “Fair-Play” por u nis furishëm për të përfituar nga mundësia dhe për të kërkuar golin.

Një gjuhë e përbashkët duhet të arrihet me patjetër, nuk mund të ofrojmë skena të tilla që krijojnë përçarje dhe i lënë jo pak hapësirë personave që punojnë për ta realizuar një skenar të tillë. Fundja, fitorja e Kosovës ndaj Shqipërisë nuk mund të festohet si të jetë arritur ndaj Italisë, Gjermanisë, Francës dhe fitorja e Shqipërisë ndaj Kosovës nuk duhet festuar në të njëjtën mënyrë, për të mos thënë më tepër…

Stafet duhet të jenë të përmbajtura për të kuptuar sesa delikate është situata, pasi objektivat e tyre bien ndesh me interesat e kombit që përfaqësojnë. Askush nuk duhet t’i hapi rrugën askujt, por festa e tillë kurrsesi nuk mund të pranohet.

Por nuk ishte vetëm kjo ngjarja që na tronditi jo pak, për të reflektuar me veten dhe për të kuptuar se ku jemi. Nëse nuk ju mjaftonte një përballje e tillë Kosovë-Shqipëri U-21 që vjen e detyruar nga shorti i hedhur nga UEFA, në fakt një ide e tillë për të treguar se kush është më i forti, nuk është e imponuar, por e kërkuar nga vetë ne.

Shembulli konkret? Boksi! Alban Beqiri i bëri krenar të gjithë shqiptarët duke dalë me medalje bronzi nga Beogradi, një vend që nuk tregoi pritje të ngrohtë për ne, ashtu siç edhe pritej në fakt. Nuk kaloi shumë kohë që Florian Markut t’i dërgohej një ftesë publike dhe njëkohësisht e mbërritur në adresën e tij personale: “T’i dhuron shou, eja të tregojmë se kush vlen më shumë, ti apo Beqiri”. Pra nëse më parë jemi mësuar që të mbështesim boksierët tanë kundër atyre të huaj, këtë herë rrezikohet një përballje mes dy boksierëve shqiptarë.

Imagjinoni për një moment tronditjen që mund të shkaktohet në ring mes dy boksierëve shqiptarë që mund të tejkalojnë veten dhe limitin e tyre kundër njëri-tjetrit dhe tifozeria që do të jetë tërësisht e ndarë për të mbështetur Markun dhe Beqirin. Në fund nuk ka pikë rëndësie se kush e fiton këtë duel, humb Shqipëria dhe kjo mendësi e jona për të treguar se kush mbretëron në vend, por duke lënë për të dëshiruar në ngritjen tonë dhe garimin me të tjerët, atje ku duhet të tregojmë në fakt forcën e vërtetë.

E si përfundim, këtë luftë brenda llojit duhet ta zhvillojmë vetëm atëherë kur është e imponuar, çmenduri nëse e kërkojmë vetë. Madje edhe në rastin e parë, duhet të dimë sesa të përmbahemi. Në fund, pak rëndësi ka nëse fiton Shqipëria apo Kosova, ekipi fitues duhet t’i qëndrojë pranë atij humbës pasi nuk është ndeshje si të gjitha të tjerat, pasi kurrsesi nuk do të dëshironin që një gjë e tillë të ndodhte. Madje, qoftë edhe sa për të krijuar një imazh të tillë ose në gjuhë popullore “sa për sy e faqe”, për ta përmbajtur veten dhe për të shpërthyer në hotel. Gjithsesi, vëllai i madh i kupton gabimet e vëllait të vogël, ndoshta dikur mund t’i ketë bërë vetë… /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online