Opinion nga Kristo Thoma/ “Shqipëria e Botërorit” nuk duhet të mbahet vetëm te Gjimshiti, të largojmë…pengjet!

“Opinion” nga Kristo Thoma për “Sport Ekspres”

Skuadra jonë kombëtare e futbollit ndodhet në një nga udhëkryqet më interesante të historisë së saj, dhe më interesantin e  epokës Reja. Dy ndeshjet e radhës, përballë Hungarisë dhe Polonisë do të vendosin përfundimisht se me çfarë statusi do të zhvillojmë finishin e kësaj fushate kualifikuese. Janë dy ndeshje ku në fakt luhen objektivat e grupit, janë dy ndeshje që mund të na lënë në vendin e katërt (ku e nisëm), mund të na drejtojnë tek i treti, që do të ishte një arritje, apo tek i dyti (ku aktualisht jemi), që do të ishte edhe objektivi maksimal, referuar kreut të grupit që ishte dhe mbetet Anglia. Fillimisht duhet theksuar nevoja e të qënit realist. Vendi i dytë nuk do të thoshte kualifikim për në Botëror. Ai për momentin mbetet utopik edhe për shkak të formulës së ngatërruar që vijon me play-off-in. Por gjithsesi vendi i dytë do të ishte një arritje e madhe për skuadrën tonë për shumë arsye.

Në këto kushte ndaj Hungarisë dhe Polonisë do të ketë tension dhe presion, me dy anët e medaljes që kjo situatë prodhon. Sepse sfida të tilla mbeten udhëkryqe delikate e të vështira, por janë edhe momente që u japin mundësinë skuadrave të shfaqin karakter të fortë, përtej cilësive të elementëve brenda tyre. Nevojitet zgjuarsi taktike, përqendrim maksimal dhe shumë besim. Është momenti që ky grup i tanishëm lojtarësh, me bojën e theksuar të vulës Reja të stamposur tashmë,  të tregojë rritjen e vet normale në çdo aspekt. Cilësitë në skuadrën tonë janë, për të provuar atë që i nevojitet në këto dy sfida. Katër pikët që do të kënaqnin Rejën probabilisht do të ishin 1 në Budapest dhe 3 në Tiranë, edhe pse Polonia, mbetet një kundërshtar shumë i fortë përtej momentit jo shumë pozitiv që po kalon.

Hungaria, e shfaqur interesante në periudhën e evropianit (përveç historive të vjetra), nuk ka diferenca me skuadrën tonë. Vlerat e saj i rrisin më së shumti tre lojtarë të Leipzig, ndër ta Orban mund të mungojë dhe Gulasci luan në portë. Në sulm do të mungojë Szalai dhe shënues të tjerë problematikë nuk ka. Do të duhet të na ndihmojë ndërkohë, qoftë edhe psikologjikisht, fitorja e Elbasanit. Aty,   përtej rezultatit, treguam supremaci të mundshme dhe, për sa i përket rezultatit, shënuam me një lojtar që vinte nga stoli, i cili tregoi dëshirë për të bërë diferencën, duke realizuar jo vetëm golin e tij të parë me Shqipërinë, por edhe golin tonë të parë ndaj hungarezëve, qoftë edhe për të thyer një tabu’. Me cinizmin, apo edhe fatin  që patëm në Elbasan, si edhe me besimin apo cilësinë e përkohshme që shfaqëm në Poloni, ne mundemi të arrijmë objektivat në këto dy sfida.

Dhe për të kaluar tek ajo ndaj polakëve, jo pak do të varet nga paraqitja jonë në Budapest. Nga energjitë e shpenzuara aty, apo entuziazmi i fituar, në varësi se si do të shkojnë gjërat. Që të jemi të sinqertë Polonia mbetet një kundërshtar shumë i vështirë, por të paktën në një prej dy sfidave me ta ne do të duhet të provojmë të përfitojmë nga momenti delikat që po kalojnë. Lewandowski, si një peshë tejet e rëndë, do të provojë sërish të anojë peshoren nga të tijtë.

Ne duhet të tregohemi më të saktë e të zgjuar të bëjmë të kundërtën duke luftuar si një grup që shfrytëzon maksimalisht cilësitë e elementëve të tij. Në mbrojtje nuk duhet të shkëlqejë vetëm Gjimshiti, mesfushorët duhet të japin maksimumin për të mbuluar edhe mungesat, ndërsa sulmi duket në formë të mirë, aq sa Reja mund të kritikohet për cilëndo zgjedhje të tij. Por, Cikalleshi apo Broja, Uzuni apo Manaj, në një ditë mirë do të jepnin shumë shpresë. Gjithçka thënë më sipër varet natyrisht edhe nga performanca e kundërshtarëve. Për sa na takon duhet të provojmë maksimumin brenda nesh, aq sa në fund të këtyre dy sfidave, sido që të shkojnë gjërat, të kemi sa më pak, në mos aspak…. pengje. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online