Gjilani ka nisur bisedimet për largimet nga skuadra. Dy të parët që u larguan prej të kuqve ishin lojtari nga Trinidad dhe Tabago, Trevin Shonari Caesar, si dhe braziliani Jose Maurisio Marinjo. Sot klubi që garon në IPKO Superliga e Kosovës ka njoftuar një tjetër divorc.
Sulmuesi Brunild Pepa, i cili sezonin e shkuar është aktivizuar me Lushnjën në Superiore, është larguar nga Gjilani. Gjithçka është zyrtare dhe klubi dardan ka e ka njoftuar përmes faqes zyrtare në “Facebook”, teksa theksohet se marrëveshja është mbyllur me konsensus.
“Ka përfunduar aventura e sulmuesit Brundil Pepa me Gjilanin,i ardhur nga Shqipëria gjatë afatit kalimtarë të verës në klubin e Gjilanit. Mbyllja e këtij bashkëpunimi mes klubit dhe sulmuesit ka ardhur në mirëkuptim të dy anshëm, ku sot përfunduan para kohe marrëveshjen e finalizuar muaj më parë. Klubi e falënderon sulmuesin për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë pjesës vjeshtore të këtij edicioni dhe i uron sukses në vazhdimin e karrierës së tij”, thuhet në komunikatën e Gjilanit.
Pepa, veçse me Lushnjën, në Shqipëri është aktivizuar edhe me skuadrën e Teutës, Flamurtarit dhe Vllaznisë dhe Bylisit. Sezoni më i mirë për të ka qenë ai 2010-2011, kur me durrsakët arriti të shënonte në Superiore 13 gola.