Objektivi i Flamurtarit, blerja e Ardit Hoxhajt

Nga vlonjatët do të ketë disa largime, me Nezirajn dhe Mersinin në “top-listë”, ndërkohë që nga Skënderbeu po mendohet të blihet kartoni i sulmuesit

Elton Nika

Asnjë lëvizje drejt merkatos në largim nga Flamurtari. Emrat e përfolur për t’u larguar nga skuadra vlonjate kanë vijuar stërvitjen në Vlorë, ndërsa në ditët në vijim priten të reja rreth lëvizjeve. Flamurtari, tashmë me një organikë të ngarkuar, kërkon të reduktojë sadopak numrin e lojtarëve në dispozicion, ndërsa në drejtim të Antalias do të nisen vetëm 25 futbollistë. Mersini dhe Neziraj janë dy emrat e përfolur më së shumti për t’u larguar nga kuqezinjtë. Për mbrojtësin gjirokastrit flitet se është arritur një akord me Kamzën, por ai vijon stërvitjen në Vlorë me Flamurtarin dhe duhen pritur ditët në vijim. Edhe për Neziraj pritet që shumë shpejt të gjendet gjuha e përbashkët për zgjidhjen e kontratës. Për momentin mbetet ende pjesë e Flamurtarit, pasi me kuqezinjtë ka ende kontratë deri në fund të majit 2018.

HOXHAJ DHE LARGIMET
Me afrimet e realizuara gjatë kësaj periudhe, kryesisht në mesfushë, por edhe mbrojtje, Neziraj dhe Mersini janë dy emrat më të përfolur për t’u larguar. Por burime nga klubi vlonjat konfirmojnë për “Sport Ekspres” se nuk janë vetëm Neziraj dhe Mersini, por ka edhe emra të tjerë në listën e largimeve. Ardit Hoxhaj dhe Lejdi Liçaj, ashtu si edhe u konfirmua një ditë më parë, do të vijojnë të jenë pjesë e Flamurtarit edhe për pjesën  e mbetur të sezonit. Madje sa i përket sulmuesit Ardit Hoxhaj, i cili vjen në huazim nga Skënderbeu, vlonjatët nuk e mendojnë aspak një largim tijin para kohe, por do të tentojnë që me kalimin e kohës të arrijnë e të blejnë plotësisht kartonin e futbollistit nga Skënderbeu. Hoxhaj ka një vit kontratë në Vlorë pas huazimit nga Skënderbeu dhe nuk mendohet aspak një lëvizje e tij. Për momentin janë duke u menduar lëvizjet e Mersinit dhe Neziraj, lojtarë të cilët pritet që shumë shpejt të gjejnë një destinacion, me gjirokastritin që me shumë mundësi do të shkojë drejt Kamzës. Sa i takon largimeve të tjera gjithçka do të mësohet kur të bëhet publike lista e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Antalias.

TESTI
Një ditë para nisjes drejt Antalias, Flamurtari do të zhvillojë testin e parë miqësor për vitin 2018. Ekipi vlonjat, edhe pse ka vetëm pak ditë që ka nisur përgatitjet, sot do të zhvillojë një test përballë ekipit të të rinjve, takim i cili pritet të zhvillohet në fushën sportive të Pyllit të Sodës në Vlorë. Do të jetë një test i rëndësishëm edhe për të parë nga afër gjendjen e lojtarëve pas pushimeve dhe ditëve të parë të përgatitjes, por edhe një mundësi për të parë me fanellën e Flamurtarit lojtarët e rinj të ardhur nga merkato e dimrit.

FAZA PËRGATITORE
Flamurtari do të udhëtojë drejt Turqisë në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë. Pas testit me të rinjtë ekipi do të lihet pushim dhe në orët e para të mëngjesit do të udhëtojnë fillimisht drejt Rinasit dhe më pas drejt Turqisë. Pritet që mbërritja në Antalia të jetë rreth mesditës, ku në varësi të gjendjes fizike të lojtarëve, mund të zhvillohet që ditën e hënë edhe seanca e parë stërvitore në tokën turke. Është bërë me dije se Flamurtari do të luajë tre ndeshje miqësore në Antalia dhe emrat e kundërshtarëve pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *