“O çuna a të bëhemi me ju, këta të tanët janë kot fare”! Irlandezët iu bashkuan tifozëve të Shqipërisë, historia e TKZ dhe hedhja në borë në -13 gradë

Nga Klaudio Ndreca

Si mund të jetë të dashurosh pa kushte? Askush nuk e di, përveç atyre, TKZ(nuk ka nevojë prezantimi)! Tifozët besnik të Kombëtares prej shumë vitesh që nuk kanë asgjë në përfitim, por janë të gatshëm që të japin edhe shpirtin për Shqipërinë. I sheh kudo, shpeshherë edhe duke dalë përtej stadiumit sa herë bëhet thirrje për interes kombëtar.

Sa i përket transfertave, qofshin edhe ato më të largëtat, është e kot që të diskutosh, ky tifo-grup e ka në virtyt që asnjëherë nuk të braktis. Emocionet që marrin nga Kombëtarja janë të pakrahasueshme dhe nuk i gjejnë në asnjë vend tjetër të rrugëtimit të tyre jetësor, askush nuk i ngroh aq shumë sa një gol i Kombëtares, asgjë nuk i deh nga lumturia në të njëjtën mënyrë.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me Artor Behluli. Ky është një prej personave që ka themeluar TKZ dhe njëkohësisht njeriu që krijoi sloganin që sot të gjithë e përdorin, jo vetëm në futboll: “O SA MIRË ME QENË SHQIPTAR”.

Artori na tregon se “sakrificat” për Kombëtaren janë të shumta. Në fakt, për të qenë të drejtë, fjala “sakrificë” përdoret nga ne, pasi asnjë nga pjesëtarët e TKZ nuk e shohin si sakrificë asgjë që bëjnë për Kombëtaren. Menjëherë vjen në kujtesë ajo transfertë në Norvegji, ku në temperaturën -13 gradë, tifozët shqiptarë “notonin” në borë pasi Shqipëria fitoi 0-1 me golin e Hamdi Salihit.

Një tjetër histori e bukur tregohet nga transferta e Dublinit, në një ndeshje me Irlandën. Disa nga tifozët e Irlandës shkuan te TKZ dhe i kërkuan t’i bashkoheshin për të kënduar së bashku: “A mundet të vijmë edhe ne me ju? Këta të tanët janë kot fare”. Kështu tifozët e Irlandës nisën të mësonin disa nga këngët e tifozëve të Shqipërisë, duke u dëfryer së bashku në stadium. Mjaftuan vetëm pak minuta që trupi t’i përshkronte emocionet e marra nga TKZ dhe irlandezët e harruan se nga vinin dhe kujt i përkisnin. Shqipëria humbi në atë takim dhe vetë tifozët irlandez ishin po aq të mërzitur sa ata shqiptarë. Momenti i trishtimit kaloi në lokalet e natës, ku birrat e panumërta e ndezën edhe njëherë tjetër atmosferën. Ky është ilaçi i vetëm për të harruar sadopak një humbje të Kombëtares, që koka të mos nis të rëndohet dhe të dhemb për orë të tëra.

Po flasim me një nga themeluesit e TKZ. Pyetja e parë që duam t’ju bëjmë, është shumë e thjeshtë. Sa shumë e ndieni një ndeshje të Shqipërisë, me çfarë emocioni tjetër mund ta krahasoni atë që ju jep një ndeshje e Kombëtares?

Nuk besoj se mund të gjesh ndonjë emocion i cili krahasohet as për së largu me atë që e sjellë një ndeshje e Kombëtares. Ekziston diçka tribale, fisnore pothuajse antropologjike që krijon lidhje të fortë në mes të gjithë atyre që e përkrahin Kombëtaren e zemrës. Në asnjë aspekt tjetër jetësor, nuk ndodhë që të takohesh me një person për herë të parë në jetë, dikë që ka ardhur nga trojet shqiptare apo edhe nga ndonjë vend tjetër dhe t’i thuash “ti je vëllau im.” E gjithë eksperienca e ndeshjes, përgatitja, 90 minutat e lojës, dhe në fund ndarja e gëzimit apo hidhërimit me tifozët tjerë, e gjithë kjo është diçka e pakrahasueshme dhe e pazëvendësueshme.

Si lindi ideja për të themeluar një grup si TKZ, si është të dashurosh pa kushte?

Themelimi i TKZ-së ishte vetëm hapi i fundit i zyrtarizimit të aktiviteteve tifozerike që kishin filluar kohë më parë. Duke u takuar nëpër ndeshjet e Kombëtares, grupet që ishin nga Gjermania, Anglia, Zvicra, si dhe ato nga trojet shqiptare e pamë se kishte ardhur koha që punës sonë t’i japim një konturë sado pak zyrtare. I filluam takimet tona online, aty dolëm edhe me emrin e grupit, logon, parullën, mënyrën e funksionimit. Të gjithë të shtyrë nga një vullnet i madh, nga një dashuri e përbashkët për idealin kombëtar.

Në transferta, ndodh shpeshherë që vendet përkatëse të nisën letra falënderimi për sjelljen tuaj shembullore. Cila ka qenë pritja më e mirë që iu është bërë në një vend të huaj dhe kujtimi që nuk do ta harrosh kurrë, një histori e ndodhur në një transfertë?

Kudo që kemi shkuar jemi munduar që ta përfaqësojmë kombin tonë në dritën më të mirë. Kudo që kemi shkuar i kemi trajtuar vendësit me respekt dhe mirësjellje, dhe ata na kanë kthyer në të njëjtën mënyrë. Nga çdo udhëtim kemi kujtime të bukura, por unë do ta veçoja një ngjarje pakëz absurde, që na ndodhi në Dublin të Irlandës, para shumë vitesh.

Gjatë ndeshjes, deri sa ishim duke bërë tifo, duke kënduar e brohoritur ashtu si dimë ne, na u afruan disa çuna irlandezë dhe na pyetën “a mund të ju bashkohemi dhe të këndojmë me ju, se këta tanët janë kot fare…” Ne ia futëm të qeshurës, kishim dëgjuar për humorin irlandez, por kjo ishte pak e tepërt. Sidoqoftë, i pranuam në mesin tonë dhe iu mësuam këngët tona të cilët ata mundoheshin t’i këndonin. Në fund pësuam gol dhe e humbëm ndeshjen, por duket se edhe miqtë tanë u zhgënjyen bashkë me ne.  Pas ndeshjes të gjithë përfunduam në pab, u shkëmbyen shallat dhe bluzat, hidhërimi u kthye në të qeshura të përcjellura me birra të panumërta irlandeze.

Je gjithashtu krijues i sloganit “O sa mirë me qenë shqiptar” që sot përdoret gjerësisht, jo vetëm në futboll. Ndodh shpesh që goja të nxjerr fjalët e zemrës që arrite të nxjerrësh një slogan të tillë, kaq të bukur?

Interesante se ky slogan lindi me një dozë humori, në një kohë kur jo gjithkush do të pajtohej se është edhe aq mirë të jesh shqiptar. Në atë kohë ishte pak a shumë si një thirrje për t’i gjetur bashkëmendimtarët tanë, ata që edhe në momente të vështira nuk e mohojnë përkatësinë e tyre kombëtare, por e përqafojnë me krenari dhe pasion. Kjo ishte një dhuratë të cilën TKZ-ja ia kushtoi mbarë kombit shqiptar. Gjatë viteve ky slogan u rrit dhe doli si thoni edhe ju, edhe jashtë futbollit, dhe sot e kësaj dite e brohoras edhe unë me tërë zemër, pa menduar shumë se kush mund të jetë autori i tij.

Të gjithë flasin për lojtarët, historitë e tyre dhe të familjes së tyre, por askush të tifozëve. A ka ndodhur që ndonjë nga familjarët e tu të mos ishte dakort që të shkoje në një transfertë për të parë Shqipërinë se mund t’iu dukej e rrezikshme për ty ose raste kur ke lënë evente shumë të rëndësishme familjare vetëm se luan Shqipëria?

Gjatë të gjitha udhëtimeve të shumta, asnjëherë nuk jam ndier se jam në ndonjë rrezik. E para se kudo që kemi shkuar kemi qenë për ta përkrahur Kombëtaren e jo për të shkaktuar probleme, dhe e dyta se kam qenë i rrethuar me njerëz, të cilët po qe nevoja do të bënin cmos që ta mbrojnë njëri-tjetrin, të qëndrojnë së bashku dhe të luftojnë për njëri-tjetrin. Fatmirësisht, këtë të fundit nuk kam pasur rast ta vërtetoj dhe shpresoj që nuk do të ndodhë kurrë. Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit, të ndihmojë të njohim popuj dhe kultura tjera. Këtë punën e huliganizmit dhe agresivitetit nuk e kuptoj fare, dhe as që dua ta kuptoj ndonjëherë.

Jam kurioz, ndodh shpeshherë që pjesëtarët e TKZ t’i shohim duke sfiduar motin. Cila ka qenë temperatura më e ulët kur ke qenë në stadium ose rrugës duke shkuar për të parë Kombëtaren?

Norvegji, 2013, duhej të ishte minus 13 gradë. Ishte fundi i marsit, por ngrica skandinave na ishte futur në palcë. Dridheshim nga të ftohtit, dhe kërcenim për t’u ngrohur. Deri sa Salihi shënoi golin e fitores dhe aty temperatura thjeshtë eksplodoi. Pas ndeshjes, shihja tifozët tanë në park duke u hedhur në borë, a thua se notonin. Euforia e fitores shkakton edhe marrëzira të tilla!

Duke kthyer kokën pas, cili do të ishte kujtimi i pavdekshëm dhe i paharrueshëm sa i përket grupimit me TKZ dhe ndeshjeve të Shqipërisë, ndoshta edhe një sakrificë që shkonte deri në ekstreme?

Nuk e pëlqej fjalën ‘sakrificë’, nuk mund ta lidhi me gjithë atë që e kam bërë gjatë këtyre viteve. I gjithë mundi, energjia, koha, lekët e shpenzuara, të gjitha I kam bërë me qejf dhe të gjitha m’u kanë shpaguar shumëfish. Këtu nuk po flas për fitoret e pakta dhe rezultatet në fushë, por ndjenjat e përgjithshme, emocionet e vecanta të cilat t’i jep vetëm ekipi i zemrës.

Kujtimi i pavdekshëm? Përgjigja e pritshme do të ishte fitorja ndaj Greqisë, 2004-tën në ‘Qemal Stafa’, por për mua është megjithatë ndeshja e parë në Euro 2016, në Lens kundër Zvicrës. Aty qava për tri arsye. E para, nga krenaria që më në fund e shoh Shqipërinë në një skenë të madhe, një ekip fantastik në fushë, dhe mijëra tifozë shqiptarë në tribuna, me një paraqitje dinjitoze në të. E dyta, nga hidhërimi se pësuam disfatë që ndoshta edhe nuk e merituam. Dhe e treta, nga gëzimi që tërë këtë përjetim madhështor e ndava me cunin tim që ishte 6-vjec në atë kohe, dhe i cili prej asaj dite është kthyer në një tifoz të Kombëtares edhe më i çmendur se unë.

Ka jo pak raste kur figura të njohura nga shqiptarët e Kosovës të flasin keq për shqiptarët e Shqipërisë dhe figura të njohura nga shqiptarët e Shqipërisë të flasin keq për shqiptarët e Kosovës. Të dhemb?

Thënë të drejtën – jo. Jeta është e shkurtër, dhe është zgjedhje individuale se a do të fokusohesh në gjëra negative, mbjellje të urrejtjes, shkaktim të përcarjes dhe mosdurimit – apo ta zgjedhësh atdhedashurinë, ta mbash lartë idealin kombëtar, t’i çmosh vlerat tona kombëtare. Vetë TKZ-ja është themeluar në këto të fundit. Urrejtësit do të urrejnë. Ne do të vazhdojmë t’i këndojmë Shqipërisë.

Shqipëria zyrtare nuk është ajo e vërteta, natyralja kërkon bashkim zyrtar. A mendon se do të vijë një ditë kur gjithë ato thirrjet e bëra nga stadiumi të marrin jetë në realitet?

Kufinjtë kryesor janë ende në kokat tona. Kur të hiqen ato, vijat në tokë që thonë këtu mbaron një shtet dhe fillon një tjetër to të jenë të pakuptimta. A do të ndodhë kjo? Po, pa kurrfarë dyshimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *