Agjenti i Elseid Hysaj ka ngritur përsëri zërin. Shkodrani do të largohet nga Napoli pas katër sezonesh në jugun e Italisë, por akoma nuk ka një tratativë konkrete.
Atletiko Madrid e kërkoi me insistim, por nuk gjeti akordin financiar me presidentin De Laurentis. Mario Xhufredi ka folur për Radio Kiss Kiss në lidhje me situatën e 25-vjeçarit.
Napoli bleu Di Lorencon (edhe ky ka agjent Xhufredin) nga Empoli për krahun e djathtë të mbrojtjes, pasi ishte rënë dakord për shitjen e Hysajt. Diçka e tillë nuk ka ndodhur akoma, por puna vazhdon për gjetjen e një skuadre të re për lojtarin shqiptar.
“Nuk mund të vë në garë dy lojtarët e mi (tjetri është Di Lorenco) në të njëjtin rol. Unë dhe klubi kishim si qëllim shitjen e Hysajt. Ai ka nevojë për një aventurë të re, të krijojë eksperiencë dhe të rikthehet në nivelin e tij. Po punojmë për transferimin.
Po shikojmë për pista në Itali dhe jashtë saj, nuk përjashtojmë asgjë. Rëndësi ka që të bëhet fjalë për një klub serioz. Hysaj ka zhvilluar tre sezone në nivele të larta me Napolin, ndërsa i pari me Ançelotin ishte më pak i mirë. Për fat të keq njerëzit e harrojnë se çfarë ka bërë më parë”, përfundon Mario Xhufredi.